2013-04-10 15:03:25

Kardinali Filoni: Universiteti Urbanian të përgatisë misionarë të rinj për periferitë e njerëzimit


Universiteti Papnor Urbanian mund ta gjejë frymëzimin dhe arsyen e ekzistencës në figurën e shën Marisë: këtu u përqendrua homelia e sotme e prefektit të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinalit Fernando Filoni, i cili kryesoi meshën për festën e Ateneut romak, që është Lajmërimi i Zojës. Kardinali, i cili kryen edhe detyrën e Kancelarit të Madh të universitetit, theksoi se Krishti del “nga gjiri” i Atit e, përmes Marisë, shkon në periferitë e botës, duke takuar të varfërit, të gjymtit, të verbërit, mëkatarët. Të gjithëve u kumton Mbretërinë e Hyjit dhe dashurinë e mëshirshme të Zotit.
Kjo përkon më së miri me objektivat e universitetit, i cili ka përgatitur gjithnjë meshtarë, rregulltarë e laikë për ungjillëzimin e të ashtuquajturave “toka misioni”. “Siç do të thoshte Papa Françesku – nënvizoi kardinali Filoni gjatë meshës – Krishti del jashtë natyrës së Tij hyjnore e shkon drejt periferisë, drejt atij njerëzimi, ku injoranca, mëkati, ritualizmat e të tjera gjëra e kanë shterpëzuar fenë, ose e kanë mënjanuar krejtësisht” nga jeta e përditshme.
Ashtu si Shën Maria “mjeshtre teologjie”, tha prefekti i dikasterit vatikanas për ungjillëzimin, edhe Universiteti Urbanian lind, mëson dhe edukon njeriun e fesë. Prandaj, misioni i ateneut papnor, vazhdoi kardinali Filoni, është të përgatisë misionarë, që dëshmojnë besnikërinë e tyre të plotë ndaj Ungjillit dhe Kishës.
Kardinali nuk mungoi të përmendë strukturën e Universitetit të themeluar para 366 vjetëve. Ai sot ka katër fakultete, dy Institute të larta, dy Qendra Studimore, një departament gjuhësor dhe një Bibliotekë, ku ruhet “një trashëgimi e pasur e mendjes njerëzore dhe vlera kulturore të pashembullta”. Këtyre u duhet shtuar edhe “struktura njerëzore”, vuri në dukje kardinali Filoni, e përbërë nga profesorët, nxënësit prej 120 vendeve të botës, personeli i shërbimit dhe bamirësit. Në fund, Kancelari i Madh uroi që Papa Françesku të vijë sa më shpejt për vizitë në Universitetin Urbanian.
Kujtojmë së në këtë universitet kanë studiuar shumë personalitete fetare e kulturore shqiptare, si imzot Pjetër Bogdani, imzot Nikollë Kazazi, dom Nikollë Kaçorri etj.. Në të, sipas vendimit të marrë nga Papa Klementi XI, me origjinë shqiptare, ka gjithnjë një bursë studimi të rezervuar për shqiptarët. Kongregata, që dikur njihej si “Propaganda Fide”, nga e cila varet Universiteti, ka botuar vepra në gjuhën shqipe, në periudhën e mesjetës, atëherë kur, siç thoshte gjuhëtari i shquar atë Justin Rrota, “as ndër mend s‘i bijte kuj për gjuhën amtare"(Hylli i Dritës). Kësisoj në gjuhën shqipe, gjithnjë sipas atë Justin Rrotës, "njehen afër 35 botime, krejt a pjesërisht shqype dalë prej Propagandës së Romës", ndër të cilat më të hershmet janë: E mbsuame e krështere (Leke Matranga, 1592), Dottrina Christiana (Pjetër Budi, 1618), Pasëqyra E t’rëfyemit (Pjetër Budi 1621), Dictionarium latino-epiroticum (Frangu i Bardhë, 1635), Cuneus Prophetarum (Pjetër Bogdani, 1685) etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.