2013-04-10 12:42:02

Doli nga Shtëpia Botuese e Vatikanit libri me titull: “Ju kërkoj të luteni për mua”


Doli nga Shtëpia Botuese e Vatikanit libri i ri, titulluar “Ju kërkoj të luteni për mua”. Përmbledh të gjitha fjalimet e Papës Françesku, që nga përshëndetja e parë drejtuar turmës, menjëherë pas zgjedhjes, më 13 mars, tek lutja e Mbretëreshës Qiellore e së Hënës së Engjëllit. Kjo vepër pason botimin, javën e kaluar, gjithnjë nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, e dy teksteve të kardinalit të atëhershëm Bergolio: “ Të kapërcesh pragun e fesë”, letër drejtuar kryedioqezës së Buénos Ájres për Vitin e Fesë dhe “Ne si qytetarë, ne si popull. Drejt një dyqindvjetori me drejtësi e solidaritet, 2011-2016”, fjalim i kardinalit Horhe Mario Bergolio mbajtur më 16 tetor 2010, me rastin e dyqindvjetorit të kombit argjentinas.
“Ju e dini se detyra e Konklavit ishte t’i jepte një ipeshkëv Romës. Duket se vëllezërit e mi kardinaj shkuan ta marrin gati në fund të botës... Po jemi këtu... Ju falënderoj për pritjen. Bashkësia dioqezane e Romës ka ipeshkvin e vet: faleminderit!”.
Me këto fjalë hapet libri i ri: “Ju kërkoj të luteni për mua”. Janë fjalët e para të shqiptuara nga Papa Françesku më 13 mars 2013, në orën 20.26 nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, një cekje e matur për viset nga vinte. Sollën në Shesh jehonën e largët të një “Pape tjetër, ardhur nga larg”, që i paraqitej turmës në një mbrëmje të ngjashme tetori, 35 vjet më parë.
Vepra e re, me 96 faqe, përmbledh 19 tekste, të parat e magjisterit të Papës së ri, që vijon misionin e madh, të përhershëm të Kishës Katolike për t’ia çuar Jezu Krishtin njeriut e për t’i prirë drejt takimit me Jezu Krishtin, që është Udha, e Vërteta, Jeta, i pranishëm me të vërtetë në Kishë e bashkëkohas me çdo njeri.







All the contents on this site are copyrighted ©.