Sot, pranë Universitetit Katolik Amerikan në Uashington, u hapën punimet e Konferencës
“Ndërtuesit e Paqes 2013, 50 vjet pas Enciklikës së Gjonit XXII ‘Pacem in Terris”.
Ndërmjet referuesve, ishte dhe kardinali Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor
të Drejtësisë e Paqes, që foli për trashëgiminë, ende tejet aktuale, të Enciklikës
“Pacem in Terris”. Enciklika e famshme e Gjonit XXIII “Pacem in Terris” vijon t’i
mësojë epokës sonë ç’duhet të bëjë, për të siguruar paqen e për të mbrojtur drejtësinë.
Kur u shkrua, bota tmerrohej nga rreziku i përdorimit të armëve bërthamore, që mund
ta bënin pluhur e hi. Atëherë Gjoni XXIII vendosi t’i flasë mendjes e zemrës së njerëzimit,
që nuk harron asgjë, madje vijon të rrahë gjithnjë për vlerën universale të paqes.
Kështu, Enciklika mori pamjen e një letre të hapur, drejtuar botës. Ishte thirrje
e një Bariu të madh, që numëronte çastet e fundit të jetës, me dëshirën për t’i parë
paqen e drejtësinë të siguruara e të mbrojtura kudo. E shkruar 50 vjet më parë,
Enciklika i flet akoma botës së globalizuar, na flet ne e na mëson se duhet të luftojmë
për t’i përballuar sfidat e reja në favor të paqes e të drejtësisë, në epokën pas
Luftës së Ftohtë, në një botë, që vijon të armatoset deri në dhëmbë. Papa Gjoni
vijon t’i ftojë për dialog krijues botën e Kishën, besimtarët e jo besimtarët, me
shpirtin e Koncilit II të Vatikanit, që niste pikërisht nën shtytjen e Papës Ronkali.
Ftesë kjo, që vijoi me Gjon Palin II , pas sulmeve terroriste të shtatorit 2001, me
nënvizimin se drejtësia pa falje mbetet thjesht utopi. Për këto probleme po flitet
në Konferencën e Uashingtonit, që do të përfundojë nesër.