2013-04-09 13:59:18

Papa pret Ban Ki-mun: me OKB-në, ide dhe objektiva të përbashkëta


Selia e Shenjtë dhe Kombet e Bashkuara kanë ide dhe objektiva të përbashkëta. Kështu i tha sot paradite, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun, Papës Françesku, i cili e priti për herë të parë në audiencë në Vatikan.
I shoqëruar nga një delegacion prej 12 vetësh, ndër të cilët, edhe përgjegjësi për çarmatimin, Ban Ki-mun e quajti “nder të madh” takimin me Atin e Shenjtë, një nga krerët shpirtërorë të botës, siç i tha. Takimi zgjati rreth 20 minuta.
“Vij në emër të Kombeve të Bashkuara – i tha Papës Bergolio, Sekretari i Përgjithshëm – e ju bëj urimet më të mira për fillimin e misionit papnor. Selia e Shenjtë dhe OKB-ja kanë ide e objektiva të përbashkëta”.
Në notën e Sallës së Shtypit të Vatikanit, shpjegohet: “Takimi, që bën pjesë në traditën e audiencave të Papëve me Sekretarët e ndryshëm të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, dëshiron të shprehë vlerësimin e Selisë së Shenjtë për rolin qendror të Organizatës në ruajtjen e paqes në botë, në promovimin e së mirës së përbashkët të njerëzimit dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.
Gjatë bisedimeve të përzemërta – vazhdon akoma nota, duke iu referuar edhe atyre me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet – u fol për tema me interes të ndërsjelltë, në veçanti, për konfliktet e emergjencat e rënda humanitare, sidomos për atë në Siri, por edhe për të tjera, si ajo e gadishullit korean dhe e kontinentit afrikan, ku paqja e qëndrueshmëria kërcënohen vazhdimisht. U përmend problemi i trafikut të njerëzve, në veçanti të grave, dhe problemi i refugjatëve dhe i emigrantëve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili ka filluar kohët e fundit, mandatin e dytë në detyrë, paraqiti programin e tij pesëvjeçar, përqendruar në parandalimin e konflikteve, në solidaritetin ndërkombëtar dhe në zhvillimin e barabartë e të qëndrueshëm.
Papa Françesku kujtoi kontributin e Kishës Katolike në favor të dinjitetit të plotë të njeriut, për nxitjen e një kulture takimi ndërmjet popujve e njerëzve, duke ruajtur identitetin e vet dhe me mjetet e saj të veçanta, që përkojnë edhe me qëllimet më të larta të OKB-së”.
Në përfundim të audiencës, Ban Ki-mun i dhuroi Atit të Shenjtë një vëllim të çmuar të “Kartës së OKB-së” në gjashtë gjuhë të botës (anglisht, frëngjisht, rusisht, spanjisht, kinezçe dhe arabisht), me një kushtim për Papën në faqen e parë. Papa i dhuroi mikut të nderuar një kuadër-mozaik të Romës dhe Rruzaren e Shenjtë të bekuar prej tij, që ua shpërndau edhe anëtarëve të tjerë të delegacionit. Që nga koha e Papës Gjoni XXIII, në Vatikan, janë pritur 7 Sekretarë të Përgjithshëm të OKB-së.








All the contents on this site are copyrighted ©.