2013-04-09 13:31:23

Papa Françesku: mos gjykoni, as mos përgojoni kurrë, i krishteri është i butë e i mëshirshëm.


Shpirti Shenjt sjelltë paqe në bashkësitë e krishtera e i mësoftë anëtarët e tyre të jenë zemërbutë, duke hequr dorë nga përgojimi i të tjerëve. Me këtë urim e përfundoi Papa Françesku homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës, në prani të Fondit të Asistencës Shëndetësore të Vatikanit dhe të Shërbimeve të Përgjithshme të Governatoratit.Ishin një zemër e vetme e një shpirt i vetëm, për virtyt të Shpirtit Shenjt, që i kishte bërë të lindnin në një jetë të re. Bashkësia e parë e krishterë në vitin zero të Kishës, mbetet model i paperënduar e i paperëndueshëm për bashkësinë e krishterë të ditëve tona. Papa e ripohoi këtë, duke u nisur nga dialogu ungjillor ndërmjet Jezusit e Nikodemit, i cili nuk arrin ta kuptojë ashtu menjëherë sesi njeriu mund të lindka rishtas. Rishtas, shpjegoi Papa, do të thotë nga Shpirti Shenjt, e jeta e re ka kuptimin e jetës, që e marrim nga Pagëzimi. Por, të mos harrojmë se jeta duhet zhvilluar, nuk vjen vetvetiu. Duhet të bëjmë ç’është e mundur që kjo jetë të zhvillohet në jetën e re. Është përpjekje jo e lehtë e cila, në zanafillë, varet nga Shpirti Shenjt e njëherësh, nga aftësia e secilit prej nesh për t’i hapur zemrën frymëzimit të Shpirtit të Zotit.
E pikërisht kjo u ndodhi të krishterëve të parë. Ata kishin një jetë të re, që shprehej në mënyrën si jetonin, me një zemër e një shpirt të vetëm. Përmasë, kjo, që duhet rizbuluar, tha Papa Françesku, duke kujtuar, si shembull, aspektin e zemërbutësisë së bashkësisë, virtyt paksa i harruar. Butësia, stigmatizoi Papa, ka shumë armiq. Armiku i saj i parë janë thashethemet. Kur të pëlqen të përgojosh të tjerët, të marrësh nëpër gojë tjetrin, t’i heqësh një dru tjetrit, gjë që u ndodh të gjithëve, madje edhe mua, domethënë se tundohesh nga djalli, i cili nuk do që Shpirti Shenjt të vijë në ne e të sjellë paqen e zemërbutësinë në gji të bashkësive të krishtera. Këto luftëra nuk mungojnë kurrë në famulli, në familje, në lagje, ndërmjet miqsh. Po kjo, theksoi Papa, nuk është jetë e re, sepse kur vjen Shpirti e na bën të lindemi në një jetë të re, na bën edhe zemërbutë, të mëshirshëm.
Prej këndej, si mësues feje e jete, Papa kujtoi cila është sjellja e drejtë për të krishterin. Rregulli i parë: mos gjyko njeri, sepse “i vetmi Gjykatës është Zoti”.
I dyti: “hesht” e, nëse duhet të thuash ndonjë gjë, thuaja atij, që i interson, që mund ta ndreqë situatën, por mos shko ta trumbetosh në gjithë lagjen.
Nëse me hirin e Shpirtit Shenjt, përfundoi Papa Françesku, ia dalim mbanë të mos përgojojmë kurrë, do të kemi bërë një hap të madh përpara. Thashethemnaja bën keq! Zemërbutësia u bën mirë të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.