2013-04-09 10:54:37

Kryeministri Berisha shpreh pikëllimin për ndarjen nga jeta të ish Kryeministres Margaret Thatcher


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha shprehu pikëllimin për vdekjen e ish-kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Margaret Thatcher. Në mesazhin e tij, kryeministri Berisha shprehet:
“Lajmi i ndarjes nga jeta të ish Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher më pikëlloi thellë. Me vdekjen e Lady Thatcher, Britania e Madhe dhe bota perëndimore humbën një nga personalitetet politike udhëheqëse, më të shquara, të të gjitha kohërave. Me ndarjen e saj nga jeta, Mbretëria e Bashkuar humbi “Zonjën e hekurt”, legjendë e gjallë e vendosmërisë dhe përkushtimit ndaj saj, reformatoren e madhe që ngriti në zenit ekonominë, potencialin e gjithanshëm dhe emrin e madh të vendit të saj. Për kombe të tjera, ish Kryeministrja Thatcher ishte simboli i pathyeshëm i luftës kundër komunizmit, avokate e pamposhtur e lirisë, vlerave të saj dhe paqes në botë.
Shqiptarët sot kanë humbur një mike të madhe të çështjes së tyre të drejtë. Në memorien time mbetet gjithnjë i paharruar dhe i gjallë takimi i parë me ish Kryeministren Thatcher, në Blackpool. Kisha vetëm 3-4 muaj në politikë dhe në audiencën që më akordoi, pas përshëndetjes e nisi bisedën duke me pyetur me fjalët më të para: Më thuaj si po i masakron vëllezërit tuaj në Kosovë kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviç.
Duke u përulur me nderimin më të madh, para kujtimit të ndritur të Lady Thatcher, i shpreh në emër të qeverisë shqiptare, familjes, qeverisë dhe popullit të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet më të thella dhe lutem së bashku me ta që shpirti i ish Kryeministres Thatcher të gjejë paqen e merituar.”








All the contents on this site are copyrighted ©.