2013-04-08 17:02:31

Vdiq Margaret Thatcher, « Gruaja e hekurt » e Mbretërisë së Bashkuar


Mbretëria e Bashkuar, në zi për vdekjen e Margaret Thatcher. Ish-kryeministrja britanike u shua sot në Londër, në moshën 87-vjeçare, nga një iktus. Mbretëresha Elizabeta shprehu ngushëllimet në emër të kombit, ndërsa kryeministri aktual, David Cameron e quajti zonjën Thatcher « udhëheqëse të madhe » e qytetare të madhe britanike. Për ish-kreun sovjetik, Mikhail Gorbaciov, Margaret Thatcher ishte një personalitet politik, që do të mbetet në histori. E për ish-sekretarin e shtetit amerikan, Henry Kissinger, bota ka humbur një « personalitet të guximshëm », një lider mike të SHBA-ve.
Për shumë njerëz, Margaret Thatcher personifikon hovin përtëritës të shoqërisë britanike, për të tjerë, politika e saj liberiste është simbol i pabarazisë shoqërore. Për të gjithë, ajo qe « Iron Lady » e politikës britanike, që për mëse një dhjetëvjeçar, nga viti 1979 deri më 1990, mbajti në duar fatet e Mbretërisë së Bashkuar me vendosmëri e këmbëngulje. E vetmja grua, që arriti në numrin 10 të Downing Street, Thatcher përfaqësoi, së bashku me presidentin amerikan Reagan, majën e shpatës së Perëndimit kundër Bashkimit Sovjetik. E dashur nga konservatorët, që gjetën në të fuqinë e Winston Churchill, fitoi emrin « Gruaja e hekurt » në ndeshjen e gjatë e dramatike me sindikatat, sidomos me ato të minatorëve, në vitet ’80. Një konfrontim, që u fitua nga Thatcher, e cila filloi më pas, një sërë privatizimesh, që u mbrojtën pjesërisht edhe nga pasardhësi i saj, kryeministri laburist, Tony Blair.
Baroneshë, që nga viti 1990, gjatë viteve të qeverisjes, Thatcher e forcoi rolin e Mbretërisë së Bashkuar në botë: në vitin 1982 dërgoi Marinën Ushtarake Britanike kundër Argjentinës, që pati pushtuar arqipelagun Falkland-Malvinas. Në vitin 1984, në Brajton, i shpëtoi një atentati të IRA-s, që shkaktoi 5 të vdekur. Me indipendentistët irlandezë u ndesh ashpër në një betejë politike, që la viktima disa të burgosur politikë, hyrë në grevë urie. Ndër ta, i mirënjohuri Bobby Sands.
Margaret Thatcher ishte e sëmurë prej vitesh, por më 17 shtator 2010 deshi të ishte e pranishme në Uestminster Holl, për të dëgjuar fjalimin historik, që mbajti Benedikti XVI, gjatë vizitës në Londër. Sipas dëshirës së saj, nuk do të varroset me funeral shteti, por gjithsesi, salikimet do të jenë solemne, me nderime ushtarake.







All the contents on this site are copyrighted ©.