Papa takohet me kryetarin e Kishës Ungjillore Gjermane. Atë Lombardi: rruga e ekumenizmit,
gjithnjë më e sigurtë
Sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë kryetarin e Kishës Ungjillore në Gjermani,
Nikolaus Shnajder me bashkëshorten dhe delegacionin shoqërues. Për këtë takim të rëndësishëm,
me karakter ekumenik, na informon drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko
Lombardi: “Takimi ishte vërtet i përzemërt. “Präses” Shnajder e përgëzoi Atin
e Shenjtë për fillimin entuziazmues të papnisë dhe shprehu vlerësimin e tij për zgjedhjen
e emrit “Françesk”, sepse është emri i një shenjti, që u flet vërtet të gjithë të
krishterëve, në një mënyrë jashtëzakonisht të frytshme. “Präses” (apo presidenti)
foli edhe për përmbytjet e vuajtjet, nëpër të cilat po kalon kohët e fundit Argjentina,
duke i shprehur Atit të Shenjtë keqardhjen për problemet e popullit të tij. Më pas,
biseda vazhdoi me tema ekumenike. U fol veçanërisht për vlerën e ekumenizmit të martirëve,
të cilit Papa i jep rëndësi të madhe, pasi njeh thellë vuajtjet e shumë njerëzve,
edhe të Kishës Ungjillore, gjatë kohës së nacionalsocializmit e në rrethana të tjera.
Gjaku i derdhur nga martirët i bashkon fuqishëm konfesionet e ndryshme të krishtera
në dëshminë e përbashkët për Krishtin. “Präses” kujtoi se po afron përvjetori i Reformës,
më 2017, çast jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kishën Ungjillore në Gjermani dhe
Papa shfrytëzoi rastin për t’i përmendur fjalimet e mbajtura nga Benedikti XVI në
Erfurt, në vendin ku jetoi e punoi Luteri: fjalime shumë domethënëse përsa i përket
ekumenizmit dhe marrëdhënieve të Kishës Katolike me traditën e Reformës dhe figurën
e Luterit, në veçanti. Pra, takimi qe jashtëzakonisht i frytshëm dhe i rëndësishëm
për ekumenizmin, i cili çohet përpara me vendosmëri edhe gjatë kësaj papnie”.