2013-04-08 15:53:45

Koreja e Veriut, gati për lëshimin e raketave. Japonia: “Do t’i godasim”; Kina i kundërvihet Piongiangut


Mbetet i lartë tensioni në gadishullin korean, ndërsa vendet e përfshira në krizën diplomatike ndërmjet Seulit e Piongiangut vijojnë të shkëmbejnë kërcënime e bashkësia ndërkombëtare, të vëzhgojë. Seuli njofton se Piongiangu po përgatit provën e katërt atomike, ndërsa dy raketa verikoreane kanë marrë në shënjestër bazën amerikane të ishullit Guam. Uashingtoni e ndjek me maturi situatën, ndërsa Kina i kundërvihet atij, që tashmë është ish-aleati i saj hekurt.

Në këtë situatë, vendet perëndimore vendosin të mos i tërheqin përfaqësitë e tyre diplomatike, edhe përballë kërcënimit verior për lëshimin e raketave brenda datës 10 prill e thirrjes për largimin e menjëhershëm të ambasadave, sepse Piongiangu nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e personelit diplomatik në rast konflikti.
Sipas ministrit të jashtëm britanik, Uiljam Hag, Koreja e Veriut nuk përgatitet për konflikt, gjë që e vërteton mungesa e rivendosjes së forcave të reja në terren. Kërkon, prandaj, të ndiqet qetësisht ajo, të cilën e quan “retorikë paranoike”. Edhe për këtë shkak, Londra dhe amabasadat e tjera perëndimore, vendosën të mos i largojnë selitë nga Piongiangu.
Një kontribut i ndjeshëm për uljen e tensionit vjen nga SHBA, që e shtynë afatin e provës së një rakete ndërkontinentale në Kaliforni, për të mos e ashpërsuar më tej situatën, e edhe nga Kina, e cila bëri thirrje që asnjë vend të mos e flakë në kaos një zonë, më të madhen në botë, për qëllimet e veta egoiste. Më pas Kina kërkon që bashkësia ndërkombëtare të flasë njëzëri për të mbrojtur sigurinë globale. Ndërkaq botës nuk i mbetet tjetër, veçse të presë. Duke shpresuar që thirrjet e liderit të ri verikorean Kim Jong-Un të mbeten vetëm provokime. I vetmi reagim është ai i Japonisë ku, sipas shtypit vendas, qeveria përgatitet ta godasë çdo raketë verikoreane, që mund t’i drejtohet territorit niponik.







All the contents on this site are copyrighted ©.