2013-04-08 15:22:33

Heparkia e Horës së Arbëreshëve ka një Administrator të ri Apostolik


Ati i Shenjtë pranoi sot tërheqjen e imzot Sotir Ferrarës nga drejtimi baritor i Heparkisë së Horës së Arbëreshëve në Sicili, për arsye moshe, sipas normave të Kodit Kanonik, dhe emëroi kryeipeshkvin metropolit të Palermos, kardinalin Paolo Romeo, si Administrator Apostolik « sede vacante et ad nutum Sanctae Sedis » në atë Eparki, në pritje të ipeshkvit të ri.
Ipeshkëv i ritit bizantin, imzot Sotir Ferrara lindi më 5 dhjetor 1937, po në Horën e Arbëreshëve. Pas studimeve, u shugurua meshtar më 19 nëntor 1961. Qe Papa Gjon Pali II, që më 15 tetor 1988 e caktoi në krye të Heparkisë së Horës së Arbëreshëve, e cila varet drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. U shugurua ipeshkëv më 15 janar 1989 në duart e imzot Miroslav Stefan Marusyn në katedralen e Shën Mitrit të Madhit Dëshmor. Ndër bashkëkremtuesit e asaj meshe, imzot Erkole Lupinaçi, edhe ai arbëresh, asokohe hepark i Ungrës. Imzot Sotir Ferrara ka qenë anëtar i Komisionit për Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar, në Konferencën Ipeshkvnore Italiane.








All the contents on this site are copyrighted ©.