2013-04-07 18:52:15

“Ta lëshojmë veten në përqafimin e Mëshirës Hyjnore”: kështu Papa Françesku, gjatë meshës për marrjen në dorëzim të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran


Mëshira Hyjnore: nëse paradite, gjatë Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku i ftoi të krishterët të mos kenë frikë të dëshmojnë Krishtin, pasdite, në meshën për marrjen në dorëzim të katedrës së Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, si ipeshkëv i Romës, përdori pikërisht këtë fjalë – Mëshirën Hyjnore - si strumbullar rreth të cilit shtjelloi krejt homelinë. Kremtimi i tij i parë i Eukaristisë në Bazilikën e Shën Gjonit, të cilin Papa e kryesoi “me gëzim”, – siç tha vetë – qe jashtëzakonisht i pasur me çaste të veçanta e simbolike. Duke filluar nga përurimi e bekimi i pllakatës me të cilën sheshi i Shën Gjonit në Lateran, ndryshoi emër, për t’u quajtur tani e tutje, sheshi “I Lumi Gjon Pali II”.
E pastaj, prania e 15 të gjymtuarve, shoqëruar nga UNITALSI, që përfaqësonin një numër të madh personash të tjerë, të cilët pavarësisht se bënë kërkesë, nuk mundën të marrin pjesë në ceremoni, për shkak të hapësirës së kufizuar. Papa i përshëndeti një e nga një. Jashtë e brenda, mijëra vetë.
Por edhe çasti i “bindjes”, kur kardinali mëkëmbës i Romës, zëvendësi i tij, një famullitar dhe zëvendësi i tij, një diakon, një rregulltar, një rregulltare, një familje e dy të rinj (vajzë e djalë) u betuan se do t’i binden gjithnjë ipeshkvit të tyre. Kështu, duke përfaqësuar gjithë dioqezën, ata kryen të njëjtin rit si gjashtë kardinajtë (dy për çdo Urdhër) në meshën e fillimit të papnisë së Horhe Mario Bergolios. Gjithçka, rrethuar nga buzagaze, entuziazëm, duartrokitje, brohoritje: elemente me të cilat na ka mësuar tashmë gjithnjë Papa Françesku, pasi karakterizojnë përherë kremtimet e tij.
E Diela e sotme, e dyta pas Pashkëve, “E Diela e Mëshirës Hyjnore”, caktuar nga i Lumi Gjon Pali II si festë për mbarë Kishën Katolike, i dha Papës shkas për të brohoritur edhe ai:
“Sa i bukur është ky realitet i fesë për jetën tonë: mëshira e Zotit! Një dashuri kaq e madhe, kaq e thellë, ajo e Zotit për ne, një dashuri që nuk shuhet kurrë, na merr gjithnjë për dore e na mban, na ngre, na tregon udhën”.
Në Ungjillin e sotëm, shën Toma provon pikërisht mëshirën e Krishtit, i cili, pavarësisht se apostulli nuk e besonte ringjalljen, pa prekur plagët e Kryqëzimit, pati durim e mëshirë për të dhe e la t’ia shihte me sytë e vet, për ta kthyer kështu, në njeri të ri, në besimtar. E Papa përshkroi edhe shembuj të tjerë nga Ungjilli, si mohimi i Pjetrit e vështrimi plot ëmbëlsi me të cilin Jezusi e qorton dhe e fal; por edhe durimi i Krishtit në udhë me dishepujt e Emausit, derisa ata e njohën; e pastaj, kthimi i djalit plangprishës tek i ati, që e priste krahëhapur. Zoti na pret gjithmonë, theksoi Papa Françesku:
“Zoti është i durueshëm me ne se na do, e kush do, kupton, shpreson, beson, nuk braktis, nuk i pret lidhjet, di të falë. Duhet ta kujtojmë në jetën tonë të krishterë: Zoti na pret gjithmonë, edhe kur jemi larguar prej Tij! Ai nuk është kurrë larg e, nëse kthehemi tek Ai, është gati të na përqafojë. …Hyji na pret gjithmonë, nuk lodhet. Jezusi na e dëshmon këtë durim plot mëshirë të Zotit, që ta rigjejmë besimin e shpresën përgjithmonë!”
Por ndërsa Hyji i Gjithëpushtetshëm na pret me durim, nënvizoi më pas Papa, edhe ne duhet të kemi guxim për t’u kthyer tek Ai, çfarëdolloj gabimi, çfarëdolloj mëkati të kemi bërë në jetë. E këtu, Ati i Shenjtë mori fjalët e Shën Bernardit, i cili në një homeli të tij, shtjellon pikërisht këtë argument, duke ia besuar plotësisht jetën dhe shpirtin, mëshirës së Zotit. Por, disa e kanë të vështirë të rrëfehen e ta pastrojnë shpirtin nga mëkatet, tha Papa Françesku:
“Ndoshta, ndokush mund të mendojë: mëkati im është tepër i madh, largimi im prej Zotit është si ai i djalit plangprishës të shembëlltyrës ungjillore, besimi im është si ai i Shën Tomës; nuk kam guxim të kthehem, as mund ta mendoj se Zoti më pranon e po më pret pikërisht mua. Por Hyji të pret pikërisht ty, të kërkon vetëm guximin për të shkuar tek Ai. …e Tija, është përkëdhelje dashurie. Për Zotin ne nuk jemi numra, jemi të rëndësishëm, madje, jemi ç’ka më të rëndësishme; megjithëse mëkatarë, jemi ata, që Hyji i ka për zemër”.
Nga mëkati i Adamit, te Jezusi: Papa Françesku shpjegoi thjeshtë se Jezu Krishti mori mbi vete lakuriqësinë, që ndjeu Adami pasi theu besën me Zotin, mori mbi vete turpin e tij e përmes plagëve të Kryqëzimit, shëroi atë dhe brezat e shumtë të njerëzimit, pas tij. Përmes mëkatit, tha Ati i Shenjtë, çdo njeri arrin ta shohë e ta prekë Mëshirën Hyjnore, dashurinë e Zotit e të shkojë tek Ai për të kërkuar falje:
“Në jetën time personale, e kam parë shumë herë fytyrën e mëshirshme të Zotit, durimin e Tij; kam parë edhe guximin e shumë njerëzve, që hyjnë në plagët e Jezusit, duke i thënë: o Zot, jam këtu, pranoje varfërinë time, fshehi në plagët e tua mëkatet e mia, laji me gjakun Tënd. E kam parë, gjithmonë, se Zoti e bën këtë, dëgjon, ngushëllon, lan, dashuron”.
Me ftesën për ta lëshuar veten në përqafimin e mëshirës së Zotit, duke besuar në durimin e në dashurinë e Tij, që mund t’i prekim me dorë në Sakramente, Papa e përfundoi homelinë e meshës për marrjen në dorëzim të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. E njerëzit e shumtë, të pranishëm në kremtim - italianë e të huaj, që këto ditë ndodhen në Qytetin e Amshuar – u kthyen në shtëpi me jehonën e fjalëve të ipeshkvit të Romës: “Kështu do ta ndjejmë ëmbëlsinë e Hyjit, përqafimin e Tij e, edhe ne do të jemi më të mëshirshëm, më të durueshëm, më të aftë për të falur e për të dashur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.