2013-04-07 16:50:20

Shkalla e Shenjtë


Sipas traditës së krishterë, janë 28 këmbë shkalle prej mermeri të bardhë. Formonin shkallën e madhe të Pallatit të Poncit Pilat në Jeruzalem. Jezu Krishti u ngjit e zbriti disa herë nëpër shkallaret e saj, para se ta kryqëzonin. Shkalla u mbulua me dru arre nga Papa Inoçenci VIII, për ta mbrojtur nga rreziku i shkatërrimit.
Shkalla Shenjte bën pjesë në një kompleks ndërtesash, që njihet me emrin Shenjtërorja e Shkallës së Shenjtë. Ndodhet pranë e pranë Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. U realizua nga fundi i shekullit XVI, nën papninë e Sikstit V, nga Domeniko Fontana.
Kompleksi përfshin:
Shkallën e Shenjtë, në të dy anët e së cilës zgjaten katër shkallare, dy më të djathtën e dy më të majtën;
Kapelën e Shën Lorencit në Palatio, që njihet me emrin Sancta Sanctorum, domethënë Kapela private e Papës, ku ruhet edhe “Acheropita lateranense”;
Oratorin e Shën Silvestrit në Palatio, ku mund të hyhet nga shkallët e së djathtës. Kujtojmë edhe ndërtesën e të Shenjtnueshmit Sakrament në Lateran si dhe Triclinium Leoninum.
Shkalla e Shenjtë u mbart nga Pallati i Lateranit, në vendin ku ndodhet edhe sot, në vitin 1589, nën papninë e Sikstit V.
Sipas gojëdhënës, Shkallën e Shenjtë e solli në Romë Flavia Gjulia Helena, nëna e Kostandinit të Madh, në vitin e largët 326.
E stolisur në të dy krahët me afreske me tema ungjillore, realizuar nën drejtimin e Çesare Nebia e Gjovani Guerra, është gjithnjë përplot me besimtarë, që ngjiten në gjunjë, në heshtje të plotë, duke u lutur e duke kërkuar hire.
Në majë të Shkallës, është Kapela e quajtur Sancta Sanctorum, ku ruhen disa nga reliket më të rëndësishme kristiane.
Siksti V ndërtoi, aty ku përfundon Shkalla e Shenjtë, Kapelën Shtëpijake (Domestica) të Papës, që më parë ishte në Pallatin e Lateranit, sot Seli e Vikariatit të Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.