Në majë të Shkallës së Shenjtë, një dritare e mbrojtur nga një qelq shumë i trashë
e nga një kafaz, lejon të shihet brendia e Sancta Sanctorum. Në Tempullin e lashtë
të Salomonit, ky emër tregonte vendin më të shenjtë, dhomën, ku ruhej thesari, Arka
e Besëlidhjes me Rrasat e Ligjit, shtaga e Aronit dhe një vazo me manë. Sipas traditës
biblike, vetëm kryeprifti, e vetëm një herë në vit, mund të hynte tek “Shenjti i Shenjtorëve”.
Në Pallatin e Lateranit, bëhet fjalë për Kapelën private të papëve e cila, edhe
sot e kësaj dite, shikohet si një nga vendet më të shenjta të botës. Fraza latine,
që bie menjëherë në sy prej afreskut qendror, flet qartë: “Non est in toto sanctior
orbe locus”(Nuk ka në botë vend më të shenjtë). Për një kohë të gjatë në këtë Kapelë
mund të hynin vetëm papët e shumë pak të zgjedhur të tjerë. Sot mund të hyjnë edhe
grupe të kufizuara për vizitë të drejtpërdrejtë. Kapela, kushtuar Shën Lorencit, u
ndërtua nën papninë e Nikollës II, në vitin 1278. E pikturuar nga Kozmatët, ruan
një numër të madh relikesh, ndërmjet të cilave, Fytyra e Shenjtë, figure e mrekullueshme,
me zanafillë acheropite (që nuk është bërë nga dorë njeriu). Paraqet Jezusin. Sipas
traditës, u pikturua nga Shën Luka, me ndihmën e një engjëlli. Në mesjetë figurja
mbartej me procesion, për të larguar kolerën e sëmundje të tjera epidemike. Shumë
shpejt, për të shmangur rrezikun e dëmtimit, u mbulua me një pllakëz ari, pajisur
me disa sportele, për të krijuar kështu mundësinë e soditjes së Fytyrës së Shenjtë,
të duarve, këmbëve e kraharorit. Sportelet hapeshin në kohën e Pashkëve, për të adhuruar
pesë plagët e Mundimeve të Krishtit. Figura pësoi disa ndryshime në shekujt mëpasëm.
Fytyra, që shikojmë sot, nuk është ajo origjinale. Megjithatë, numërohet si një nga
reliket më të mrekullueshme, sepse e krijuar jo me dorë njeriu, por me ndërhyrje të
drejtpërdrejt hyjnore. Shembuj të tjerë relikesh të kësaj natyre, janë: Sindona e
Torinos, Fëtyra e Shenjtë e Manopelos e ajo e Veronikës, që ruhet në Vatikan.