2013-04-07 14:52:42

Pasdite Papa merr në dorëzim Katedrën e Romës. Kardinal Valini: Françesku është në zemër të qytetit.


Me kremtimin solemn eukaristik të pasdites së sotme, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Papa Françesku merr në dorëzim Katedrën e Romës. Ati i Shenjtë do të jetë në Bazilikë rreth orës 17.00, kur do të zbulojë, në Sheshin para Vikariatit, pllakën toponomastike, përmes së cilës sheshi ndërron emrin, duke u quajtur “Sheshi i të Lumit Gjon Pali II”. Në orën 17.30 do të nisë Mesha e fillimit të detyrës së Ipeshkvit të Romës. Titull, ky i fundit, me të cilin Papa iu paraqit menjëherë Romës e Botës. Pse? Pyetëm kardinalin mëkëmbës, Agostino Valini:
Përgjigje: - Arsyeja teologjike, sipas meje, është se Papa është papë, pikërisht sepse është ipeshkëv i Romës. Prandaj ai deshi ta nënvizojë se burimi i Papnisë së tij për mbarë botën, duhet parë pikërisht në faktin se u zgjodh Ipeshkëv i Romës e, si i tillë Papë i Kishës Universale. Prandaj vjen ta marrë në dorëzim Katedrën, që është këtu, në Kishën katedrale të Shën Gjonit në Lateran.

Pyetje: - Ç’kuptim ka liturgjia solemne e marrjes në dorëzim të katedrës nga ana e ipeshkvit të Romës?

Përgjigje: - Kuptimin e marrjes në dorëzim zyrtarisht të selisë së tij ipeshkvnore, pikërisht të Kishës së Romës, përmes së cilës është, pastaj, edhe bari i Kishës Universale. Praktikisht dihet se Papa mbështetet tek bashkëpunëtorët në qeverisjen e një dioqeze kaq të madhe, siç është Roma, por dihet edhe se në Romë nuk bëhet asgjë - përsa u përket vijave baritore, veprimtarive themelore të dioqezës - pa qenë i informuar Papa e pa miratimin e Atit të Shenjtë.

Pyetje: - Ç’ pasoja praktike mund të ketë kjo këmbëngulje e posaçme e Françeskut për mandatin e tij ipeshkvnor, si ipeshkëv i Romës?

Përgjigje: - Përsa mund të shpjegoj, tregon ndjeshmërinë e tij, dëshirën për të qenë me të vërtetë bari i një Kishe, përmes formave konkrete, që ai vetë dëshiron t’i përdorë. Mund të them se ka treguar vëmendje të veçantë për jetën e famullive e se do ta vizitojë njërën prej tyre në maj e, pastaj, në fund të verës. Papa do të hapë Kuvëndimin dioqezan në qershor; do të takohet me të gjithë meshtarët e Romës në shtator, në fillim të vitit baritor, e kjo tregon qartë se dëshiron të jetë shumë pranë Kishës sonë e ta bëjë ta ndjejë praninë e kryebariut. Dihet se ai, si ipeshkëv i Buénos Ájres ishte shumë i pranishëm, me forma pune shumë të përshtatshme, në jetën e dioqezës. E ne shpresojmë të jetë kështu edhe në jetën e dioqezës së Romës.

Pyetje: - Si mund ta shoqërojë Populli i Zotit ipeshkvin e tij në këtë udhë?
Përgjigje: - Roma e do Papën. Duke vizituar famullitë, kam dëgjuar nga të gjithë këto javë të para të Papnisë, shprehje të një përzemërsie të madhe, të një përkimi të madh, që kanë të gjithë me Papën. Shumë më kërkuan ta nxit të vijë në famullitë. I pyeta: “Po ç’ju shtyn ta doni kaq shumë?”. Mora përgjigjen: “Nuk e dimë si e pse, por na ka hyrë në zemër”. Kur e mori vesh Ati i Shenjtë, tha: “Nuk jam unë, është Zoti, që hyn në zemra, duke më përdorur mua”.







All the contents on this site are copyrighted ©.