2013-04-07 13:57:19

Mbretëresha Qiellore. Papa: mos kini frikë të jeni e të jetoni si të krishterë; çojeni Krishtin shesheve.


Paqja është fryt i faljes e të lumët janë ata, që besojnë në dashurinë e Zotit, të dëshmuar krishterisht; ata, që kanë guximin e fesë. Ishin pohimet kryesore, që përshkuan sot në mesditë, lutjen e parë të Mbretëreshës Qiellore të Papës Françesku. Në një Shesh të mbushur me më se 100 mijë njerëz, Papa i ftoi të gjithë ta kumtojnë Krishtin pikërisht në sheshe.
E Diela e Mëshirës Hyjnore, por edhe e guximit. Papa Françesku u nis nga e para, për të përfunduar me të dytën: me guximin që duhet të ketë çdo i krishterë për të qenë e për të jetuar si i tillë në mes të tjerëve, duke u bërë megafon i Ungjillit. Përshëndetja e parë drejtuar turmës vigane, mbledhur shumë para mesditës poshtë dritares së Papës në Sheshin e Shën Pjetrit, ishte ajo e vetë Jezusit në Ungjillin e Tetëditshit të Pashkëve: “Paqja qoftë me ju!”. Një paqe që, për të krishterët, ka kuptim të mirëpërcaktuar:
Nuk është përshëndetje, e aq më pak urim i thjeshtë: është dhuratë, madje dhuratë e çmuar, që Krishti u bëri dishepujve pasi kaloi përmes vdekjes e botës së të vdekurve. Kjo paqe është fryt i fitores së dashurisë së Zotit mbi të keqen, është fryt i faljes. E është pikërisht kështu: paqja e vërtetë, ajo e thella, vjen kur provohet mëshira e Zotit”.
Një duartrokitje e fuqishme u lartua nga Kolonati, drejt dritares së Françeskut, kur Papa kujtoi festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga i Lumi Gjon Pali II për Kishën, në të Dielën e parë pas Pashkëve. E pikërisht natën e kësaj feste Papa Vojtila nisej për në shtëpinë e Atit qiellor, tetë vjet më parë. Këtë festë Ungjilli e kujton si ditë e aktit të fesë së Tomës, kur Jezusi u duk në Çenakull. Por, mbi të gjitha, vijoi Papa Françesku, është ditë, që na nxit t’i quajmë “të lum” të gjithë ata që, prej dymijë vjetësh, besuan, pa parë:
“Kjo është fjalë shumë e rëndësishme për fenë, mund ta quajmë lumnia e fesë. ‘Lum ata, që nuk panë e besuan’, kjo është lumnia e fesë. Në çdo kohë e në çdo vend janë të lum ata që, përmes Fjalës së Zotit, shpallur në Kishë e dëshmuar nga të krishterët, besojnë se Jezu Krishti është dashuria e mishëruar e Hyjit, Mëshira e mishëruar. E kjo vlen për secilin nga ne!”.
Papa Françesku e përsëriti këtë bindje, kur kujtoi se misioni i Kishës në Botë është të kumtojë se “Mbretëria e dashurisë” së Krishtit, është falja e mëkateve, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, që e dëbon frikën nga zemra e apostujve:
Të kemi edhe ne më shumë guxim për dëshmimin e fesë në Krishtin e Ngjallur! Nuk duhet të kemi frikë të jemi të krishterë e të jetojmë si të krishterë! Ne duhet të kemi guxim të shkojmë e ta kumtojmë Krishtin e Ngjallur, sepse Ai është paqja jonë. Ai e bëri paqen me dashurinë e me faljen e Tij, me gjakun e Tij, me mëshirën e Tij”.
E një nxitje të re, energjike për ta çuar Krishtin ndërmjet njerëzve, Papa e dha në çastin e përshëndetjeve, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kur kujtoi, posaçërisht, misionin e veçantë, që nisin bashkësitë neokatekumenale në sheshet e Romës:
I ftoj të gjithë ta çojnë lajmin e mirë në çdo mjedis të jetës, ‘me ëmbëlsi e respekt’. Shkoni shesheve e kumtojeni Krishtin, Shëlbuesin tonë!”.
Të gjithëve Papa Françesku u la, pastaj, takim, në Shën Gjonin e Lateranit ku, pasdite, do të marrë në dorëzim Katedrën e Ipeshkvit të Romës, me fjalë që rikujtuan ato, të cilat i shqiptoi pak pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit:
“Ta lusim së bashku Virgjërën Mari të na ndihmojë, Ipeshkvin e Popullin, për të ecur në fe e në dashuri, plot besim në mëshirën e Zotit, që na pret gjithnjë, na do, na fali me gjakun e Tij e na fal çdo herë, që shkojmë tek Ai për t’i lypur ndjesë. Të kemi besim në mëshirën e Tij”.









All the contents on this site are copyrighted ©.