2013-04-07 18:58:20

Bazilika e Shën Gjonit në Lateran


Ju ftojmë sot, kur Papa mori në dorëzim Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në një shtegtim simbolik, pas Atit të Shenjtë. Do të vizitojmë, së bashku, Bazilikën, që njihet si Nënë e të gjitha Kishave.Bazilika e Shën Gjonit në Lateran është Selia e Papës, si ipeshkëv i Romës. Është, pra, Kisha e parë e botës, Ecclesiarum urbis et orbis mater et caput. Sipas traditës (sivjet, me pak ndryshime, për shkak të kremtimeve të Pashkëve), menjëherë pas zgjedhjes, Papa shkon në bazilikën e lashtë, për ta marrë në dorëzim, gjatë një kremtimi, që quhet pikërisht “i marrjes në dorëzim”.
Në vendin ku sot lartohet bazilika, në kohën e Perandorisë së Parë romake ngrihej një banesë e madhe, plot salltanet, ku banonte fisi i famshëm i Lateranëve, emrin e të cilit e mban edhe sot e kësaj dite gjithë zona. Papa Melkiadhi (311), ndërtoi këtu, në tokat e dhuruara nga Perandori Kostandin, një bazilikë paleokristiane, kushtuar fillimisht Shëlbuesit e më pas, gjatë Papnisë së Gregorit I (590-604), Shën Gjon Pagëzuesit e Shën Gjonit Ungjilltar.
Këtu banuan papët, deri nën papninë e Gregorit XI (1370), i cili e riktheu Selinë e Shenjtë nga Avinjoni i Francës (1309-1377), në Romë.
Në vitin 1308 Bazilika u dogj krejtësisht. U rindërtua shumë shpejt, duke rifituar madhështinë, bërë hi e pluhur nga flakët, falë shpenzimeve të jashtëzakonshme të Papës Klementi V.
Gregori XI hapi portën veriore; Martini V(1368-1431) ndërtoi fasadën, që u zbukurua, më pas, nga Eugjeni IV(1383-1447) e Aleksandri VI(1431-1503). Tavani i bukur, i praruar, u realizua nën Piun IV(1499-1590). Siksti V(1520-1590) ndërtoi fasadën anësore, me hajatin e dyfishtë, vepër e arkitektit të shquar Fontana, firma e të cilit duket në të katër anët e këtij kompleksi madhështor ndërtesash. Së fundi, Inoçenci XI, në vitin 1650, rregulloi navatën qendrore, kështu si e sodisim sot, sipas projektit me stil barok të arkitektit të famshëm Borromini. Punime të reja u bënë nën Klementin XI Albani(1649-1721) e, së mbrami, Klementi XII(1652-1740) i dha dorën e fundit fasadës, asokohe mahnitëse (1730), sot e dëmtuar nga rrebeshet e kohës.
Fasada kryesore, mbi të cilën sodisim pesëmbëdhjetë shtatore vigane, që paraqesin Krishtin, Shën Gjon Pagëzuesin, Shën Gjonin Ungjilltar dhe dymbëdhjetë Dijetarët e Kishës, të gjitha kryevepra të skulpturës monumentale, ka pesë ballkone. Papa e jep bekimin nga ballkoni qendror.
Në rrjedhë shekujsh, siç e kujtuam edhe më sipër, Shën Gjoni në Lateran vuajti më shumë se të gjitha bazilikat e tjera të lashta: mjafton të kujtojmë se u shkatërrua katër herë rresht nga vandalët e nga tërmeti. Kështu, prej bazilikës së vjetër mbeti shumë pak, por kjo ‘pak’, u ruajt me kujdes të jashtëzakonshëm, sepse kisha u rindërtua në fillim të shekullit XVI, kur u lejua rindërtimi i Kishave të lashta, por me kusht që të mos cënohej asgjë, që mund të kujtonte shekujt e parë të krishterimit, dëshmitë e mëdha të martirizmit, të cilat vlejnë shumë më tepër se çdo kryevepër e artit modern.
Kapërcejmë portat qendrore prej bronzi. Sodisim, në skajin e djathtë, Portën Shenjte, që hapet vetëm me rastin e Viteve të Shenjta.
Një dritë e bardhë, plot shkëlqim, zbulon para shtegtarit veprat monumentale të stilit barok e të shekujve më të lashtë. Navata qendrore, jashtëzakonisht e madhe, mbulohet nga një tavan i zbukuruar me prarime e me vepra mahnitëse arti. Në të dy anët e saj, hapen katër navata anësore. Navata kryesore stoliset me 12 shtatore të mëdha. Takohemi me 12 Apostujt. Në navatën e dytë, më të djathtë, mund të sodisim një afresk të Gjotos, që ruan kujtimin e hapjes së Vitit të parë Shenjt (1300) nga Papa Bonifaci VIII.
Në qendër të navatës kryesore është elteri papnor, ku mund të kremtojë Meshën vetëm Papa. Në këtë elter ruhet katedra prej druri, mbi të cilën besohet se ulej vetë Shën Pjetri Apostull.
Përmbi elter ngrihet një baldakin i lartë gotik, ndërtuar në vitin 1367.
Në bazilikë ruhen reliket e kokave të Shën Pjetrit e të Shën Palit; e po këtu, janë varrosur shumë papë.
Këtu, gjatë papnisë së Inoçencit III(1161-1216), u takuan për herë të parë Shën Françesku e shën Dominiku e po këtu u miratuan rregullat e urdhërave të tyre, që do të ndihmonin fuqimisht në përtëritjen dhe lulëzimin e Kishës Katolike. Kjo ngarje përjetësohet këtu me afreske moderne, që mund t’i sodisim më të djathtën e presbiterit.
Dekorimet dhe reliket e lashta të Shën Gjonit në Lateran, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e Romës e të Botës.
Bukuria e madhështia e këtij kompleksi ndërtesash, i bën gjithnjë shtegtarët të mahniten e të entuziazmohen para këtyre thesareve të përshpirtërisë e të kulturës së krishterë. Këtë entuziazëm e këtë mahnitje Dante e shpreh me vargjet e mëposhtme, në “Komedinë Hyjnore:
“Barbarët…
kur shihnin të Romës veprat madhështore,
mahnitë ndalonin – te Laterani kur
ai ua kalonte gjanave mortore!”.
Bazilika e Shën Gjonit në Lateran është një nga qendrat më të mëdha të historisë botërore. Një shkrim mesjetar e krahason me Sinain, nga i cili vjen Ligji hyjnor; një tjetër e quan “Nënë e të gjitha Kishave”.
Ngrihet edhe sot madhështore, në sheshin e lashtë të Lateranit, katedralja e Romës dhe e Botës, fortesë e pathyeshme e krishterimit, që u bëri ballë barbarëve, forcave shkatrrimtare të natyrës e forcave të së keqes: urrejtjes, errësirës, vdekjes.
“Nëna e të gjitha Kishave”, dëshmon se krishterimi, që është dashuri hyjnore e njerëzore, që është art, është kulturë, është dritë, ka ngadhënjyer e do të ngadhënjejë gjithmonë mbi forcat e së keqes.Në këtë bazilikë, ku ka shkelur Shën Françesku, mbi gjurmët e Serafinit të Asizit, shkeli sot një Françesk tjetër, e mbi Selinë e papës së parë të krishterimit, u ul një ‘Pjetër’ tjetër, për të vijuar misionin e ngarkuar nga Krishti: përhapjen e Lajmit të Mirë në të katër anët e botës, deri në mbarim të shekujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.