2013-04-06 16:54:56

Papa Françesku: feja nuk tregtohet, prandaj Kisha është edhe sot Kishë e martirëve


Feja duhet dëshmuar me guxim e në tërësinë e saj: është ftesa e Papës, sot paradite, gjatë Meshës kryesuar në Kapelëzën e Shtëpisë së Shën Martës. Të pranishëm në kremtim, një familje argjentinase dhe disa rregulltare, Bija të Shën Kamilit e të Zojës së Mëshirës.
Në homelinë e shkurtër, Papa komentoi leximet e së Shtunës së Tetëditshit të Pashkëve; në leximin e parë takohemi me Pjetrin e Gjonin, që e dëshmojnë me guxim fenë, para krerëve të judenjve, pa u trembur fare nga kërcënimet. Ndërsa Ungjilli i Jezusit i qorton apostujt, të cilët nuk u besojnë atyre, që pohojnë se e kanë parë të gjallë.
“Si ju duket feja jonë! Është e fortë? Apo nganjëherë, tepër e trëndafiltë? Kur ndeshim vështirësi, jemi guximtarë si Pjetri, apo të lëkundur? - pyeti Papa - e në vijim vërejti se Pjetri e dëshmoi me zë të lartë fenë, nuk heshti, nuk kurdisi kompromise, sepse feja nuk shitet e as nuk blihet. E megjithatë, në të gjithë historinë e popullit të Zotit nuk ka munguar kurrë tundimi për ta këputur një copë nga feja; tundimi për të bërë atë, që bëjnë të gjithë, për të mos qenë ashtu krejt një cope. Po kur nisim ta presim fenë, ta tregtojmë fenë, t’ia shesim atij, që na paguan më shumë, nënvizoi Papa, atëherë nis udha e apostazisë, e pabesisë ndaj Zotit.
Shembulli i Pjetrit e i Gjonit na ndihmon, na jep forcë, duke pasur parasysh se në historinë e Kishës janë të shumtë martirët, që në zanafillë e deri më sot. Martirizimi vijon, për të njëjtat arsye që filloi. Nuk është nevoja të shkosh në Katakombe a në Koloseum, për t’i kujtuar martirët: martirët janë të gjallë tani, janë mes nesh, në vendin tonë e në shumë vende të botës. Të krishterët, pohoi Papa, vijojnë të persekutohen për fenë e tyre. Në disa vende nuk mund ta mbajnë Kryqin, dënohen, nëse e mbajnë. Sot, në shekullin XXI, Kisha jonë është Kishë martirësh, Kishë e atyre që, ashtu si Pjetri e Gjoni, pohojnë: “Nuk mund të heshtim; duhet ta themi me zë të lartë çka kemi parë e kemi dëgjuar”. E kjo, vijoi, na jep forcë edhe ne, që e kemi fenë sadopak të ligështuar; na jep forcë ta dëshmojmë me jetë fenë, që e morëm; atë fe, që është dhurata e Zotit për të gjithë popujt. Por këtë, shtoi, nuk mund ta bëjmë me forcat tona: është hir. Hiri i fesë. Duhet ta kërkojmë ditë për ditë: “O Zot… ma ruaj fenë, rrite, ma jep hirin që feja ime të jetë e fortë, e guximshme e më ndihmo në çastet kur – si Pjetri e Gjoni - duhet ta shpall publikisht. Më jep guxim, o Zot!”. Kjo, tha Papa, do të ishte një lutje e bukur për sot, që Zoti të na ndihmojnë ta ruajmë fenë, ta çojmë përpara e të jemi burra e gra me fe të gjallë. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.