2013-04-05 15:57:39

Kardinali Skola: duhen rimenduar format e ushtrimit të pushtetit në vend.


Të mërkurën e kaluar, në Sheshin e Shën Pjetrit ishin të pranishëm dhjetë mijë shtegtarë nga kryedioqeza e Milanos, një nga dioqezat më të mëdha të Kishës Katolike Universale. Kryesoheshin nga kardinali Angelo Scola, kryeipeshkëv i kryeqytetit ekonomik të Italisë. Në mikrofonin tonë, Hirësia e Tij, flet për këtë shtegtim, por edhe për kuadrin historik botëror, në të cilin filloi misionin Papa Françesku.
Ta dëgjojmë, duke nisur nga domethënia e shtegtimit:

Përgjigje: - Ishte shtegtim i parashikuar prej kohe, para dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, me tre qëllime: i pari, të ripohonim, në Vitin e Fesë, besimin tonë mbi Varrin e Shën Pjetrit e të Shën Palit; i dyti: të falënderonim Benediktin XVI për vizitën e tij në Milano, me rastin e Ditës VI botërore të familjeve; e pastaj, pasi rrjedha e ngjarjeve shtoi edhe një qëllim të ri, t’i shprehnim përzemërsinë, afërsinë, urimin tonë, Papës Françesku, që nisi udhën e tij të re. Gjest shumë i bukur, ky. Ishim 10 mijë shtegtarë, ndërmjet të cilëve, 6 mijë të rinj e të reja me moshë 14 vjeçare, siç u pa në Shesh. Të rinjtë janë plot entuziazëm. Fjalët, që u tha Ati i Shenjtë, ishin shumë depërtuese, shumë të thjeshta e besoj se tani meshtarët e pranishëm, edukatorët e tyre, do t’i ndihmojnë t’i rikujtojnë e t’i vlerësojnë, për t’i shoqëruar, kështu, në udhën e tyre të fesë.

Pyetje: - Kjo papni nisi në një çast historik për jetën e botës, plot me sfida të rëndësishme për kulturën dhe propozimin e krishterimit....

Përgjigje: - Sigurisht. Provania na dha një shenjë të madhe me emërimin e Papës Françesku, njeri që di t’i flasë drejtpërdrejt zemrës së njerëzve, përmes gjesteve, përmes shenjave, përveçse përmes fjalëve e vëmendjes së madhe, që lindi qysh në dukjen e tij të parë. Më duket shenjë e madhe shprese për Provaninë. Besoj se Papa Françesku i njeh mirë skutat e njerëzimit, siç i quan ai vetë, njeh situatat e vështira, vuajtjet, kontradiktat, lodhjen e dhimbjen, që pëson sot njerëzimi, për të qenë, kështu, prijës i sigurtë për të gjitha Kishat e të gjitha kontinenteve e për t’i ndihmuar të krishterët në detyrën e dëshmimit, që duhet të arrijë edhe në mjediset e jetës së përditshme të njerëzve. Mendoj se Papa i ri, shumë i interesuar për çështjen shoqërore, do të jetë në gjendje t’i kuptojë problemet më të mprehta; e rrënja e tij italiane, do ta ndihmojë të kuptojë edhe situatën e ndërlikuar evropiane, me zhvillimin e demokracive, t’i quajmë liberale, që rrjedhin nga natyra plurale e kësaj shoqërie e që na detyrojnë ta rimendojmë plotësisht temën e shoqërisë civile, të lidhjeve të saj me shtetin, të mënyrës së pjesëmarrjes; e njëkohësisht, duhet ta rimendojmë edhe temën e laicitetit. Besoj se gjesti i përvujtërisë së madhe të Benediktit XVI i hapi në të dy kanatat Kishës, në vazhdimësi të plotë me papnitë e pasluftës, një pistë të re. Tani na takon ne të krishterëve, ta përshkojmë.

Pyetje: - Ju jeni bari i një dioqeze të madhe, siç është Milano, kryeqytet ekonomik italian. Në frontin e drejtimit të së mirës së përbashkët, duhen përballuar probleme jo të vogla. Ndërmjet tyre, ndoshta, edhe mungesa e përgjegjësisë së njerëzve, që qeverisin pasurinë publike....
Përgjigje: - Besoj se kemi të bëjmë me një përpjekje, që duhet bërë nga të gjithë qytetarët, të cilët duhet të marrin pjesë masivisht jo vetëm në votime, por edhe, e sidomos, në jetën e përditshme. Pastaj, kush ka përgjegjësi në të gjitha nivelet, duke nisur nga niveli kishtar – natyrisht me dallimet e duhura – për të kaluar në nivel politik, shoqëror, ekonomik, financiar, e kështu me radhë, duhet të ecin në rrugën e ballafaqimit, të krahasimit në të gjitha fushat. Përballë të gjithëve, në mënyrë që të gjejnë tani, menjëherë, një dalje mjaft të sigurtë nga situata e, në perspektivë, t’i rimendojnë edhe format e ushtrimit të pushtetit në këtë vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.