2013-04-05 15:57:56

Imzot Tomazi: Traktati i OKB-së për armët, hap pozitiv, por me kufizime të ndjeshme.


Hap i rëndësishëm, por me shumë kufizime, Traktati mbi tregtinë e armëve të zakonshme, miratuar të mërkurën e kaluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Vërejtja është e imzot Silvano Maria Tomazit, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: - Është hap shumë pozitiv, sepse synon të mbrojë jetën njerëzore e të lehtësojë punën për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky Traktat, në se e shikojmë si hap të parë, është i mirë, por fjala ‘historik’ nganjëherë përdoret hir e pahir, në se kemi parasysh se traktati ka kufizime, e shumë të ndjeshme, madje. Para së gjithash, nuk ka një mekanizëm kontrolli, gjë që krijon mundësitë për ta çuar përpara trafikun e armëve me udhë të tërthorta. Traktati i ri mbi tregtinë e armëve ishte rast i përshtatshëm edhe për një aksion ekumenik sepse, përveç Selisë së Shenjtë, që u impenjua posaçërisht në Nju Jork për t’i dhënë ton etik e përmasë humane, si qendër e kësaj përpjekje ndërkombëtare, edhe emërtime të ndryshme të krishtera ecën në të njëjtën hulli. Kështu ky Traktat u bë provë: tregoi se duke punuar së bashku mbi disa tema me interes për mbarë njerëzimin, mund të arrihen rezultate konkrete.

Pyetje: - Pati mirëkuptim të madh lidhur me këtë Traktat: përgjigjja pozitive e SHBA-ve, për shembull, ndërsa përgjigjet negative erdhën nga Irani, Siria e Koreja e Veriut, vende ku po jetohen situata, që e shqetësojnë thellësisht mbarë bashkësinë ndërkombëtare. Flasim posaçërisht për Korenë e Veriut, ku javët e fundit situata është bërë vërtet e rrezikshme…

Përgjigje: - Situatat në vendet, që kujtuat, janë shumë të ndryshme. Ndërsa kuadri i përgjithshëm, brenda të cilit duhet ta shikojmë udhën e çarmatimit e të kërkimit të paqes, duhet të jetë ai i përkrahjes së të gjitha përpjekjeve, edhe të vogla, në drejtim të lehtësimit të dialogut ndërmjet të gjitha vendeve të bashkësisë ndërkombëtare. Shqetësimet më të mëdha kanë të bëjnë kryesisht me Sirinë, ku nuk shihet asnjë rrugëdalje politike nga konflikti e duket se mungon pikërisht vullneti i mirë për t’i dhënë fund dhunës; ose me retorikën luftënxitëse në Korenë e Veriut. Janë situata, të cilat vijojnë të krijojnë paqartësi e, përtej çdo retorike, edhe rrezik serioz, që mund të minojë paqen në botë. Energjitë, prandaj, duhen përdorur në përpjekjen për t’i riorganizuar, për t’i kufizuar e për t’i kontrolluar këto situata. Ndërsa ka shumë rëndësi investimi për progresin, tejet i nevojshëm për zhvillimin e vendeve më të varfëra e për sigurimin e bashkëjetesës paqësore, që krijon mundësi për rritjen e cilësisë së gjithanshme të jetës njerëzore.

Pyetje: - Imzot Tomazi, sot kremtohet Dita kushtuar asgjësimit të minave kundër njeriut, themeluar nga Kombet e Bashkuara. Cilat janë sfidat e sotme, që duhen rikujtuar si dhe masat, që duhet t’i ketë mirë parasysh bashkësia ndërkombëtare?
Përgjigje: - Duhet t’i shikojmë punët gjithnjë me sytë e viktimave: kjo situatë, për fat të mirë, është zgjidhur përmes Traktatit mbi minat kundër njeriut. Duhet të vazhdojmë të japim ndihmesën tonë, që të realizohet ky Traktat si edhe Traktati tjetër, i cili parashikon ndihma si për vendet, që duhet t’i zhdukin zonat e minuara, ashtu edhe për viktimat e minave. Shpresojmë se do të ketë vërtet sukses.










All the contents on this site are copyrighted ©.