2013-04-04 15:13:08

Revista e jezuitëve “Qytetërimi Katolik” përtërihet. Atë Spadaro: Papa Françesku na nxit t’i aktualizojmë mësimet e Kishës


Është revista italiane më e vjetër, akoma aktive e tani, përtërihet e zbarkon në të gjitha platformat dixhitale. Është e mirënjohura “Qytetërimi Katolik”, e përdyjavshmja e jezuitëve, themeluar më 6 prill 1850. Nesër, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, do të paraqitet numri i parë i formatit të ri në letër e në internet. Por a ndryshon vetëm pamja e jashtme, e atyre faqeve të mbushura me reflektime e mendime të vyera për Kishën e për botën? Folëm me drejtorin e revistës, jezuitin, atë Antonio Spadaro: RealAudioMP3
Ndryshimi i parë është natyrisht, më i dukshmi, dhe ka të bëjë me faqosjen grafike e me kapakun, i cili frymëzohet nga të mëparshmit, në përdorim deri në vitin 1970. Por, ndryshimet prekin edhe strukturën e revistës. Disa rubrika nuk do të jenë më, disa të tjera do të ndryshojnë e ka edhe disa të reja. Po përpiqemi të kuptojmë rolin e një reviste sot, në një çast kur informacioni përhapet menjëherë në shumë mënyra. Kemi nevojë të reflektojmë më shumë, ta lidhim mendimin e Kishës me jetën e shoqërisë e me jetën kulturore të botës së sotme. Pastaj, risia tjetër e madhe është se do të përdorim botën dixhitale – internet, tablet, celular – do ta ndajmë përmbajtjen e revistës me të tjerët përmes rrjeteve shoqërore… Një tjetër element themelor, për të cilin falenderoj “Google”, është konsultimi i lirë e falas në internet i gjithë arkivit tonë, nga viti 1850 deri në vitin 2008.
Përtëritja e revistës bëhet në vazhdën e asaj fryme krijuese, që predikonin edhe etërit themelues, tashmë mëse 150 vjet më parë. Revista rinohet por u mbetet besnike atyre, apo jo?
T’i qëndrosh besnik traditës do të thotë ta kuptosh atë, pra, të kuptosh se ç’i shtyu etërit themelues të “Qytetërimit Katolik” të mendojnë për një revistë të tillë. Duke studiuar dhe duke analizuar zanafillën, kuptohet qartë se edhe atëherë, revista ishte diçka krejtësisht e re në panoramën e kohës. Pra, sigurisht që duke u përtërirë, u mbetemi besnikë atyre.
Ky ndryshim është menduar e përgatitur para zgjedhjes së Papës Françesku, i cili u tha gazetarëve të mos mbyllen në rrethin e tyre të ngushtë, por t’ia hapin portat botës. A janë nxitje edhe për ju, këto fjalë?
E ndjejmë veten shumë të inkurajuar nga ato fjalë, që, në fund të fundit, përbëjnë thelbin e gazetarisë, aftësinë për ta interpretuar realitetin me kategori, që frymëzohen nga e vërteta, mirësia, bukuria. Ky është misioni ynë: të gjejmë çelësin për ta kuptuar këtë botë kaq të ndërlikuar, si e jona. Nga kjo pikpamje, do të kemi më shumë artikuj nga sa kemi pasur deri tani, por gjithnjë me firmën e jezuitëve, sepse revista jonë frymëzohet nga karizma e Shoqërisë së Jezusit, themelore për të.







All the contents on this site are copyrighted ©.