2013-04-04 15:12:40

Kardinali Komastri: Papa zbriti në Nekropol për të thithur ajrin e orës së parë të krishterimit.


Një kthim mbrapa, në historinë e krishterë, për të thithur ajrin e vendit, që pa martirizimin e Shën Pjetrit. Këtë domethënie pati vizita, që bëri, të hënën e Engjëllit, Papa Françesku, në Nekropolin e Vatikanit, thellë nën tokë, poshtë Bazilikës. Vizita zgjati 45 minuta. Për domethënien, emocionet e komentet e Papës në këtë vend, i cili na kujton se martirizimi i të krishterëve rikthehet pambarimisht në historinë e njerëzimit, flet, në mikrofonin tonë, kardinali Anxhelo Komastri, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit, në sa kujtimi i vizitës është ende shumë i freskët: RealAudioMP3

Përgjigje: - Papa deshi të shikonte pikën burimore të papnisë romake. Filluam nga kati i Kriptës së Vatikanit e, prej aty, zbritëm në Nekropol, duke u kthyer 1.800 vjet mbrapa në kohë. Deri nga viti 1939-40 Nekropoli ishte i mbuluar me dhe, sepse arkitektët e Kostandinit, në vitin 320, për të krijuar sheshin për dyshemenë e Bazilikës së parë, e mbushën me dhe gjithë pjesë e pjerrët të kodrës. Pas gërmimeve, gjithçka doli përsëri në dritë, si për mrekulli. Së pari u ndaluam pranë Mauzoleut të Egjiptianëve, që i përket fundit të shekullit II. Në këtë Mauzole është edhe një vendvarrosje e krishterë, në mes të shumë varreve pagane. E kjo provon se krishterimi po hynte pikërisht si tharm, në brumin e paganizmit. Pastaj u ndaluam para gurit të varrit të një burri, të quajtur Istatilio - “Istatilius”, kështu shkruhet mbi gurin e lashtë. E, pas emrit të tij, si sqarohet se ishte i krishterë, shtohet epitafi: “Shkoi mirë me të gjithë e nuk shkaktoi kurrë grindje, nunqua rixatus est”. Papa brohoriti: “Program i bukur jete, ky!”. Kur arritëm tek vendvarrosja e Shën Pjetrit, Papa nuk e fshehu emocionin. U ndal para murit të bardhë, përplot me grafite, që i flasin edhe sot shtegtarit, në këtë vend të nëndheshëm, për devocionin ndaj Shën Pjetrit, varrosur këtu. Pastaj, në Kapelën Klementine, përballë varrit të Apostullit, Papa u ul në gjunjë mbi dysheme e të gjithë së bashku përsëritëm tri dëshmitë e fesë së Pjetrit, sipas Ungjijve. Ishte prekëse ta dëgjoje Papën, duke shqiptuar fjalët e Shën Pjetrit: “Zot, ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”.
Më pas Papa, me zë të lartë, shqiptoi dëshminë tjetër të fesë së Pjetrit, pas kumtimit të Eukaristisë: “Zot, e tek kush të shkojmë? Ti ke fjalë të jetës së pasosur”!”. Pastaj përsëritëm dëshmimin e tretë të fesë së Pjetrit, gjatë brigjeve të Liqenit të Galilesë, kur Jezusi, pas mohimit për tri herë rresht, e pyet: “Simon, a më do?”. E në fund Pjetri përgjigjet: “Zot, ti di gjithçka: ti e di se të dua!”. E sa u prekëm kur e dëgjuam Papën që i shqiptonte, si të ishte vetë Shën Pjetri, këto fjalë, e njëkohësisht, i rijetonte, sepse sot Zoti ia besoi atij vijimin e misionit, të cilin ia pati ngarkuar Pjetrit.

Pyetje: - Ç’mbresa ju la vizita e Papës, që u thirr të drejtojë Kishën e shekullit XXI, në lutje pranë varrit të Shën Pjetrit?

Përgjigje: - Pa dyshim, kjo të bën të shikosh vazhdimësinë në Kishë. Pas gati dymijë vjetësh, Pasardhësi i Shën Pjetrit, me të njëjtin entuziazëm të zanafillës, por, siç u shpreh ai vetë, edhe me të njëjtën brishtësi të fillesës, ndodhej këtu, në këtë vend, për të vijuar një mision, që të bën të trandesh: misionin për të qenë guri, mbi të cilin Jezusi ndërton Kishën e vet. Dukej qartë se Papa e ndjente fort këtë përgjegjësi: vërente me vëmendje të madhe gjithçka kishte të bënte me Pjetrin, si të donte të thithte ajrin e kohës së martirizimit, të dëshmisë së Shën Pjetrit Apostull.

Pyetje: - Në Nekropolin e Vatikanit është varri i Shën Pjetrit, por, siç na kujtuat ju, janë edhe gurët e varreve të të krishterëve të parë. Sipas jush, ç’mesazh mbartin këta gurë për botën e sotme, që shpesh tregohet krejt indiferente ndaj kujtesës së vet historike e fetare?

Përgjigje: - Vendi i martirëve të prek në zemër, por edhe të provokon. Kujtoj sesi disa vjet më parë, kur isha kryeipeshkëv në Loreto, një egjiptian i ri, që vinte në një takim të të rinjve të brigjeve të Mesdheut, më tha: “Për ju, në Itali, feja nuk kushton asgjë: prandaj nuk e vlerësoni. Ne, në Egjipt, na kushton jetën, sa herë shkojmë në Kishë”. Sot, duke vizituar varret e martirëve, nuk mund të mos na vijë në mendje se atmosfera e martirizimit po përhapet gjithnjë më shumë kudo e ndoshta-ndoshta mund të bëhet përsëri tejet i rrezikshëm dëshmimi i fesë. Por kjo nuk e tremb Kishën. Për Kishën martirizmi nuk është gjëmë; është burim i madh. Sepse feja, që bëhet e vështirë, bëhet edhe fe heroike, bëhet britmë e fortë, dëshmi e fuqishme, në favor të Jezusit!












All the contents on this site are copyrighted ©.