2013-04-04 15:24:34

Eparkia arbëreshe e Ungrës kremton 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë


Pavarësisht se viti i përkujtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka përfunduar, kjo ngjarje historike është gjithnjë burim frymëzimi për veprimtari kulturore, që vënë në pah vlera e kontribute. I tillë është kuvendimi, që do të mbahet në Frasnitë të Italisë, nën kujdesin e Eparkisë arbëreshe të Ungrës, më 11 maj të këtij viti. Në të do të flitet për rolin e klerit arbëresh në procesin e rilindjes së ndërgjegjes kombëtare shqiptare, gjatë pesë shekujve të sundimit osman.
Në orën 16.00 të asaj së shtune, 11 maj, autoritetet e ftuara dhe pjesëmarrësit do të vendosin fillimisht një kurorë me lule në monumentin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në sheshin Albania të Frasnitës (Frascineto, në italisht). Aty, të pranishmit do t’i përshëndesë ipeshkvi i Ungrës dhe kryetari i bashkisë. Më pas, fillon kuvendi, që do të mbahet në auditoriumin e shkollës së mesme “Ernest Koliqi”.
Të shumta, fjalimet e diskutimet. Avokati Tomazo Belushi do të mbajë një kumtesë mbi përkatësinë kombëtare të arbëreshëve, duke filluar nga Lidhja e Lezhës deri tek Komitetet Pro-Atdheut, që punuan për pavarësinë e Shqipërisë. Më pas, “Ndikimi i arbëreshëve dhe i popullit italian në procesin e vetëvendosjes dhe të formimit të shtetit shqiptar, që nga Kongresi i Triestes në ditët tona”, me relator Tomazo Ferrarin. Protopresbiteri Pietro Lanza do të përqendrohet në dy simbole të rëndësishme për identitetin etniko-fetar të ritit bizantin, siç janë Kolegji Korsini dhe Seminari Eparkial i Kozencës. Vazhdon protopresbiteri Antonio Belushi, i cili do të flasë për kontributin e klerit arbëresh në pavarësinë e “Kombit shqiptar”. Përfundon ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, që do të theksojë rolin e Eparkisë në ruajtjen e identitetit etniko-fetar të arbëreshëve të ritit bizantin.
Eparkia e Ungrës fton të gjithë arbëreshët e të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në këtë veprimtari.







All the contents on this site are copyrighted ©.