2013-04-03 14:40:44

Publikohet kalendari i kremtimeve të kryesuara nga Papa në prill e maj


U bë i njohur kalendari i kremtimeve të kryesuara nga Papa Françesku për muajt prill e maj. Të dielën e ardhshme, më 7 prill, do të kremtojë meshën, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, të cilën do ta marrë në dorëzim si Ipeshkëv i Romës.
Më 14 prill, të Dielën e tretë të Pashkëve, do të kryesojë meshën në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, edhe aty, në orën 17.30.
Më 21 prill, në të Dielën e katërt të Pashkëve, do të kryesojë meshën për shugurimin meshtarak, në orën 9.30, në Bazilikën e Vatikanit.
Më 28 prill, në të Dielën e pestë të Pashkëve, do të kremtojë një meshë në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.00, gjatë së cilës do t’u japë disa personave Sakramentin e Krezmimit.
Të shtunën, më 4 maj, në orën 18.00, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, Papa Françesku do të udhëheqë lutjen e Rruzares Shenjte.
Më 5 maj, e Diela e gjashtë e Pashkëve, do të kremtojë një meshë për Vëllazëritë e krishtera, në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.00.
Më 12 maj, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë së cilës do të shpallen shenjtorë të Lumët Antonio Primaldi me shokë, Laura e Shën Katerinës nga Siena dhe Maria Guadalupe Garsia Zavala.
Të shtunën, më 18 maj, po nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, Papa do të kryesojë Lutjen e Vigjiljes së Rrëshajëve, thënë së bashku me Lëvizjet e ndryshme kishtare.
Së fundi, më 19 maj, gjithnjë në praninë e Lëvizjeve kishtare në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Bergolio do të kryesojë Meshën e së Dielës së Rrëshajëve, në orën 10.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.