Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve in ‘Albis’ kushtuar Mëshirës
Hyjnore. Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj here do
të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore
të dielës së dytë të Pashkëve, të cilën të diele që nga viti 2000 Papa Gjon Pali II
ia besoi Mëshirën Hyjnore. Pra këtë arsye, këtë të diele Kisha katolike kremton festën
e Mëshirës Hyjnore. E në këtë të diele na shoqëron e udhëheq Gjoni ungjilltar,
ndoshta sepse duke jetuar më shumë se apostujt tjerë, ka qenë dëshmitar se si dalëngadalë
po në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme është përhapur në botë feja në Krishtin
e Ngjallur Zot. Kështu pra, në të dielën e dytë të Pashkëve, liturgjia dëshiron
të na ndihmojë ta thellojmë misterin e Ngjalljes, ngjarjen qendrore, vendimtare, të
fesë sonë të krishterë. Të dielën e kaluar, liturgjia na paraqiti këtë ngjarje në
vete, ndërsa këtë herë synon të na ndihmojë ta kuptojmë se çfarë është NGJALLJA e
KRISHTIT e si mund të nxjerrim fryte prej saj për jetën e përditshme. Tekstet biblike
që liturgjia na i propozon këtë të diele, janë të përshkuara e të mbushura me mahnitje,
mrekullim dhe na thërrasin të gëzohemi. Me pak fjalë, leximet biblike të kësaj së
diele vënë në pak temën e fesë, temën besimit në Krishtin e Gjallë. Në fragmentin
e sotëm ungjillor, dëgjojmë edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës Apostull me Jezusin
e Ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej
identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria
im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është
Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai
na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria që ka për ne. Plagët e Tij – ne
mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Jezusit vijojnë t’i hapen plagë për
ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është
“Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për
Të në dashuri e me dashuri. Mosbesimi i Tomës, për çka flet pjesa e Ungjillit
të kësaj se diele, na ndihmon të zbulojmë fytyrën e vërtetë të Krishtit, dhe inkurajon
të gjithë njerëzit që e kërkojnë me zemër të pastër takimin me Jezusin, Hyj i vërtetë
e njeri i vërtetë, pavarësisht nga dyshimet e pasiguritë. Krishti i ngjallur është
shpresë për një ardhmëri më të mirë! Të bashkuar me Të, bëhemi apostuj të paqes e
lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja. Fjalët e Shën Tomës, besojma
e tij e fesë në Krishtin e Gjallë: “Zotëria im e Hyji im!”, na kujton takimin e Krishtit
të ngjallur me Apostujt, nënvizon etjen e tyre plot mosbesim, për të qenë të sigurt.
Ky takim nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv; ishte i vërtetë,
edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës. Pas këtyre fjalëve,
feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës,
që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm me të Ngjallurin. Edhe njerëzimi
i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë
ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. Në se përmes këtij
Apostulli mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm,
frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë,
me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar
brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më.
Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar
shëlbues. Secili nga ne mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në
provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë
mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit,
të sëmundjeve e të urisë? E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë pikërisht
në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon
të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete
të gjitha varret e njerëzimit të plagosur. Toma mori nga Zoti e pastaj ia përcolli
Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar
nga takimi me Të, të ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së
plagëve të Krishtit, plagë të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon
të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që
për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare:
Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht
ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar! Sa plagë e sa dhimbje
në botë: Mendoj për shuplakën e urisë, të sëmundjeve të pashërueshme, për terrorizmin,
për rrëmbimet e njerëzve, për mijëra fytyrat e dhunës – nganjëherë të përligjura në
emër të fesë - për përbuzjen e jetës, shkeljen e të drejtave njerëzore e për shfrytëzimin
e njeriut. Nuk mund të mos i kujtojmë edhe fatkeqësitë e natyrës dhe tragjeditë
njerëzore që kanë tronditur kohët e fundit Vendet e ndryshme të botës por në Krishtin
e Gjallë e kemi shpresën, më dritën e Ngjalljes së Tij shndriten synimet dhe e ardhmja
jonë plot besim e shpresë: Të dashur vëllezër e motra, përmes plagëve të Krishtit
të ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës këto të këqija që mundojnë njerëzimin.
Duke u ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta
në rrënjë me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithëpushtetin
e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë
që nuk ka frikë nga vdekja. Liturgjia
e Fjalës Leximi i parë (Vap 5, 12 – 16) Lexim prej Veprave të Apostujve Shumë
shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Të gjithë besimtarët si me marrëveshje
e kishin zakon të bashkohen në Tremen e Salomonit. Prej të tjerëve askush s’kishte
guxim të bashkohet me ta, porse megjithatë populli u jepte nderim. Dhe kështu,
gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, kështu që i nxirrnin
në tregje të sëmurët dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri
aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. Po edhe një turmë e madhe
njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e nga ata që
i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin. Fjala e Zotit.
Psalmi 118 (117) Allelluia, Allelluia, Allelluia. ----- Le
të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë, e amshuar është dashuria e tij! Le
të thotë tani shtëpia e Aronit, e amshuar është dashuria e tij! ----- Guri,
që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri i këndit; Zoti e
bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë! Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: të
galdojmë e të gëzojmë në të! ----- Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, deh,
o Zot, jepe të mbarën! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Po ju bekojmë
nga shtëpia e Zotit. Hyji është Zot, ai na ndriçoi: -----
Leximi i dytë
(Zb 1, 9-11a. 12-13. 17-19) Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull Unë
Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë
në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin
që quhet Patmos. Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova
një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe
dërgojua shtatë kishave. U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva,
pashë shtatë shandanë të artë dhe në mes të shandanëve dikë si Birin e njeriut, të
veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës. Kur e pashë,
rashë para këmbëve të tij porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha:
»Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i
gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës! Shkruaj,
pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë! Fjala e Zotit.
Ungjilli
(Gjn 20, 19-31) Pas tetë ditëve, erdhi Jezusi. Leximi i Ungjillit të shenjtë
sipas Gjonit Në mbrëmjen e po asaj dite - të parën ditë të javës - ndërsa
dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve,
erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi
duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Pastaj u tha prapë: “Paqja
me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati
mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e
atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve -
ai që quhet Binjak - nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit e tjerë:
“E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdave
e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin
e tij, kurrë nuk besoj.” Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi
e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend
mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu
dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos
ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi
i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër
sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë
libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke
besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit. E këtu ju propozojmë
programin tonë kushtuar Liturgjisë se Fjalës së Zotit: dëgjimin e leximeve biblike
të dielës së dytë të Pashkëve dhe komentin...