2013-04-03 16:31:35

Audienca e përgjithshme: gratë e të rinjtë, protagonistë të fesë, në një botë, që ka nevojë për shpresë.


Gratë e Ungjillit qenë më të gatshme se të gjithë, të besonin në Ngjalljen e Jezusit. Tani të rinjtë e kanë për detyrë ta përhapin shpresën në mbarë botën ‘e plakur” prej së keqes. Mund ta përmbledhim me këto fjalë, katekizmin e audiencës së përgjithshme, kryesuar nga Papa Françesku sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, përballë mijëra njerëzve. Ati i Shenjtë rifilloi katekizmin kushtuar Vitit të Fesë, duke reflektuar mbi versetin e Besojmës: “Të tretën ditë u ngjall së vdekuri”, që flet për Ngjalljen e Krishtit e është thelbi i besojmës së krishterë.RealAudioMP3

“Përpara të rinj!".Thirrja e fundit e Papës Françesku shkaktoi një stuhi brohoritjesh e duartrokitjesh në gjirin e turmës prej 30 mijë vetësh, që ndiqte audiencën. Thirrja ngrohu zemrat e të rinjve e jo vetëm të tyre, kur Ati i Shenjtë, me një kreshendo tipike të tonit, i ftoi të ecin përpara, pasi kujtoi aftësinë e grave për ta pranuar me gëzim kumtimin e fesë, siç na e rrëfejnë Ungjijtë. Papa Françesku ua besoi përhapjen e këtij kumti posaçërisht të rinjve, energjive të tyre të freskëta, me vetëdijen se janë të aftë për ta rinuar botën e plakur në shpirt, që rënkon nën barrën e padurueshme të dhunës:
“Juve ju them: çojeni përpara këtë bindje, Zoti është i gjallë e ecën përkrah nesh në jetë. Ky është misioni juaj. Çojeni përpara këtë shpresë! Lidhuni ngusht me shpresën, me këtë spirancë, që është në qiell. Çojeni përpara dëshminë se Jezusi është gjallë, e kjo do t’ju japë shpresë edhe në këtë botë, të plakur për shkak të luftërave, të së keqes, të mëkatit. Përpara të rinj!”.
Pas nxitjes drejtuar të rinjve, Papa Françesku kujtoi se edhe paraardhësit e tij e njohën rolin e jashtëzakonshëm, që luajtën gratë, të cilat nuk ngurruan për asnjë çast t’ia hapnin portat Zotit. Në një epokë, në të cilën, vërejti Papa, historinë e shkruanin burrat, sepse gratë, ashtu si fëmijët, mbaheshin si dëshmitare të pabesueshme, janë ato, e jo shokët e parë të Jezusit, që besojnë të parat në Ngjalljen e Zotit:
“Apostujt e dishepujt ngurrojnë, para se të besojnë. Gratë, jo. Pjetri vrapon tek varri, por ndalet përpara gropës së zbrazët; Toma nuk beson, pa prekur me gisht plagët në korpin e Krishtit. Edhe në udhën tonë të fesë, ka shumë rëndësi ta dimë e ta ndjejmë se Zoti na do e të mos kemi frikë ta duam: feja dëshmohet me gojë e me zemër, me fjalë e me dashuri”.
Mund të themi, prandaj, se Ungjijtë përmbysin një mendësi shekullore e me këtë, dëshmojnë, nënvizoi Papa:
“...se Zoti nuk zgjedh sipas kritereve njerëzore: dëshmitarët e parë të lindjes së Jezusit janë barinjtë; njerëz të thjeshtë, të përvuajtur; dëshmitaret e para të Ngjalljes, janë gratë. Kjo është gjë e bukur, e ky, edhe misioni i grave, i nënave, i gjysheve. Të bëjnë dëshmi para bijve të tyre, para nipave. T’u dëshmojnë se Jezusi është gjallë, se jeton, se u ngjall. Nëna e gra, përpara në rrugën e kësaj dëshmie!”.
Papa Françesku, që rifilloi reflektimin kushtuar ‘Besojmës’ pikërisht aty ku e kishte ndërprerë Benedikti XVI, i shpjegoi turmës se e vërteta e fesë, gjatë dymijë vjetëve, u transmetua si duke u nisur nga dëshmia, që dhanë protagonistët, ashtu edhe përmes tregimeve të ngjarjes së Ngjalljes, siç është tregimi i vizitës së grave tek Varri i zbrazur. Gjithsesi, duhet kujtuar se përveç dritave, ka pasur edhe shumë hije, të cilat e errësuan këtë të vërtetë feje:
“Për fat të keq, shpesh u bënë përpjekje për ta errësuar besimin në Ngjalljen e Jezusit. E edhe disa besimtarë nisën të dyshojnë. Të kërkojnë paksa një fe me aromë trëndafili, siç shprehemi ne. Jo fe të fortë. E kjo, herë për shkak të cektësisë, herë tjetër, të indiferencës, sepse të zënë me njëmijë punë, të cilat u duken më të rëndësishme se feja, e herë, për shkak të vizionit vetëm horizontal të jetës”.
Ka njerëz, që nuk janë në gjendje t’i lartojnë sytë nga qielli e ta shikojnë Krishtin e Ngjallur. Por është pikërisht Ngjallja, pohoi Papa Françesku, që na hap udhën e jetës sonë e të jetës së ardhshme, në botën e amshuar të Zotit, në lumturinë e plotë, me sigurinë se njeriu mund të fitojë mbi të keqen, mbi mëkatin, mbi vdekjen. Ashtu si gratë tek varri, ku u takuan me Lajmëtarin e Zotit, që u dha kumtin e madh: “Jezusi i Nazaretit nuk është këtu. U ngjall!”. Gratë janë plot me dashuri e dinë ta presin këtë lajm me fe: besojnë, e menjëherë ua përcjellin edhe të tjerëve, nuk e mbajnë për vete:
“Gëzimi i kumtit se Jezusi është i gjallë, shpresa, që e mbush përplot zemrën, nuk mund të përmbahen. Kjo duhet të ndodhë edhe në jetën tonë. Ta ndjejmë gëzimin se jemi të krishterë. Ne besojmë në të Ngjallurin, që fitoi mbi të keqen e mbi vdekjen! Ta marrim guximin të dalim, për ta çuar këtë dritë në të gjitha skutat e jetës”.
Ashtu si të mërkurën e kaluar, Papa Françesku iu drejtua grupeve, ardhur nga vende të ndryshme, duke folur në gjuhën italiane, pas përmbledhjes së katekizmit, herë pas here, realizuar nga një folës, në gjuhën e grupeve përkatëse. Posaçërisht Papa përshëndeti të rinjtë libanezë, që përgatitën meditimet e Udhës së Kryqit, kremtuar në Koloseum, të Premten e Madhe.
Për t’u kujtuar, prania në Shesh e një grupi katolikësh kinezë të dioqezës së Tianjin, që jetoi një çast të paharrueshëm bashkimi me Papën e ri. E më pas, Papa Françesku, duke iu përgjigjur entuziazmit të rreth 10 mijë besimtarëve nga dioqeza e Milanos, të pranishëm në audiencë, brohoriti, duke qeshur:
“Vërtetë shumë entuziastë, këta milanezët!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.