2013-04-02 13:29:03

Vizita e Papës Françesku në nekropolin e Vatikanit. Ati i Shenjtë lutet para varrit të Shën Pjetrit Apostull


Zgjati treçerek ore vizita e djeshme e Papës Françesku në nekropolin e Vatikanit, ku shkoi në orën 17.00, për t’u lutur para varrit të Shën Pjetrit Apostull. Siç tha zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, është Papa i parë që zbret në zonën e gërmimeve të nekropolit. “Ati i Shenjtë – deklaroi atë Lombardi – përshkoi rrugën qendrore të varrezave të lashta, e cila gjendet poshtë Bazilikës dhe Kriptës, duke dëgjuar shpjegimet e duke iu afruar kështu vendit ku ndodhet varri i Shën Pjetrit, pikërisht nën elterin kryesor e nën kupolën e Bazilikës”. Papa Bergolio u ndal në lutje në Kapelën Klementine, e cila ndodhet më afër varrit të Princit të Apostujve. Vizita përfundoi në Kriptën e Bazilikës vatikanase, ku Ati i Shenjtë nderoi kujtimin e Papëve të shekullit të kaluar, që janë varrosur aty: Benedikti XV, Piu XI, Piu XII, Pali VI, Gjon Pali I. Më pas, sqaroi atë Lombardi, në dalje të Kriptës, përshëndeti personelin e pranishëm dhe shkoi në këmbë në Shtëpinë e Shën Martës, ku ka vendosur të banojë tani për tani. Papa shoqërohej nga kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit, kardinali Anxhelo Komastri, nga Delegati i Fabrikës së Shën Pjetrit, imzot Vitorio Lanxani, nga sekretari, imzot Alfred Ksuereb e nga përgjegjësit e Nekropolit të Vatikanit, Pietro Xander dhe Mario Bosko.
Por t’i hedhim një vështrim historisë së gjetjes së varrit të Princit të Apostujve. Vendvarrimi e më pas edhe eshtrat u gjetën në mënyrë krejt të papritur. Gërmimet kishin filluar në vitin 1939. Papa Piu XI kishte dhënë urdhër të varrosej në një vend të caktuar në Kriptën e Bazilikës, prandaj u vendos të ulej pak dyshemeja për ta lehtësuar punën. Kështu, duke gërmuar u zbuluan ato, që fillimisht u mendua të ishin mbetjet e një sarkofagu, por pas shqyrtimeve të mëtejshme, u vu re se ishte streha e çatisë së një shtëpie. Atëherë, Papa Piu XI dha urdhër të vazhdohen gërmimet, që sollën zbulimin e një nekropoli, të përdorur nga të krishterë e jo të krishterë deri në gjysmën e shekullit III. Aty u vërejt një grumbull me dhe, në dukje i parëndësishëm, drejt të cilit ishin orientuar të gjitha varret e tjera, edhe ato pagane. Vihej në dukje nga një mur nderimi. Ishte fjala për të famshmin “mur të kuq” para të cilit, që në shekullin II, ishte ngritur kamarja e ‘trofeut’ të Gajos, e cila, me shtyllat e saj, përcaktonte hyrjen në “varrin e lavdishëm” të Shën Pjetrit Apostull. Pikërisht këtu, perandori romak Kostandin ndërtoi në shekullin IV një kamare nderimi, që përkon me Elterin e sotëm të Rrëfimit, elteri qendror i Bazilikës vatikanase.
Papa Piu XII e shpalli këtë lajm për të gjithë botën përmes valëve të Radio Vatikanit, me rastin e Krishtlindjes së Vitit të Shenjtë 1950. “U gjet – tha atëherë – varri i Princit të Apostujve”. Por osari ishte bosh. Vetëm në vitin 1953, gjetja e disa eshtrave të një burri 60-70 vjeçar, të mbështjella me një pëlhurë të purpurtë, ndërthurur me fije të arta - që sipas gjasave vinin nga varri, por ishin zhvendosur nga perandori Kostandin në kamare, siç shihet edhe nga prania e fragmenteve të murit të kuq – si edhe interpretimi i grafitit mbi varr nga Margerita Guarduçi si “Pjetri është këtu”, e bindën Papën e atëhershëm, Pali VI, se kishte të bënte me reliket e mbetura nga trupi i Shën Pjetrit. Kështu, këto relike u vendosën në pozicionin fillestar, mbyllur në një kuti pleksiglasi, së bashku me një kartush ku shkruhet se “mendohet” se eshtrat janë të Shën Pjetrit Apostull. Studimet e mëtejshme, që akoma vazhdojnë, verifikojnë gjithnjë e më tepër se pikërisht nën elterin qendror të Bazilikës së Vatikanit, ndodhet Varri i Princit të Apostujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.