Mesazhi i Pashkëve nga ipeshkvi Sapës imzot Avgustini
Letra e ipeshkvit, Imzot Lucjan Avgustini për Pashkë 2013“Pse e kërkoni
të Gjallin ndër të vdekur? Ai s’është këtu! U ngjall!” (Lk 24,5-6) Shumë
të dashur meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, të dashur besimtarë,
Viti
i Fesë që jemi duke jetuar, na e jep mundësinë ta njohim më mirë besimin tonë i cili
nuk përmbahet vetëm në pranimin se ekziston Hyji, por në mënyrën e të jetuarit, dëshmisë
dhe të shpalljes së tij. Ngjallja e Krishti është qendra e fesë sonë. Kjo e vërtetë
duhet të shpallet me të gjitha forcat tona. Shën Pali na porositë: “Nëse Krishti
nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë e kotë edhe feja jonë”.
Kjo është një thirrje jashtëzakonisht aktuale, sikurse na porositë edhe Benedikti
XVI: “Ngjallja e Krishtit është shenja qendrore dalluese e krishterimit, e vërteta
themelore, që duhet ripohuar me forcë në çdo kohë, sepse ta mohosh, ashtu siç është
provuar të bëhet e vijon të provohet, ose ta shndërrosh në një ngjarje pastërtish
shpirtërore, do të thotë ta bësh të kotë vetë fenë tonë”. Njeriu ka shkuar
aq larg në kryengritje kundër Zotit, sa që e ka dënuar dhe e ka kryqëzuar Birin e
Zotit. Në gjykimin dhe dënimin e Krishtit ishin të bashkuar hebrenj, grekë, romakë...
të gjithë kundër Zotit, të gjithë kundër të Vërtetës, kundër Dashurisë. I bashkuan
forcat për ta larguar Zotin. Zgjodhën që ta vrasin me kryqëzim duke menduar ta poshtërojnë
dhe largojnë prej pranisë së tyre. Historia e largimit, dënimit dhe e kryqëzimit
të Zotit është përsëritur shpesh në jetën e njeriut. Këtë e dëshmon historia e popullit
tonë shqiptar, në një periudhë të egër të një ideologjie të mbështjellë me errësirën
e të keqes. Por, për fat të keq e njëjta histori e dëbimit të Zotit vazhdon edhe sot,
në botën e sotme, në jetën tonë. Edhe sot Zoti dëbohet, dënohet, kryqëzohet në
mënyrë të paskrupullt nga ndërgjegjja dhe zemra e shqiptarëve, me pranimin e një mentaliteti
konsumist, materialist, hedonist. Me mënyrën e të jetuarit sikurse të mos ekzistojë
Zoti, me përshtatjen dhe pranimin e të këqijave që na ofrohen dita ditës që ngritin
krye kundër Krijuesit dhe normave morale, të cilat Zoti i ka caktuar për të mirën
tonë. Në këtë mënyrë njeriu i vë kazmën të mirës dhe e rrënon vetveten dhe largohet
prej Zotit. Por, Zoti nuk vritet as nuk mund të dëbohet. Njeriu e braktis Zotin,
por Ai, kurrë nuk na braktis. Hyji nuk na ka braktisur. Ai ka ardhur dhe vazhdon të
vijë për të banuar mes nesh; Ai vjen për të na dhuruar jetën; Ai vjen për të na mësuar
rrugën e lumturisë. Nevojitet që t’ia hapim zemrat dhe ta dëgjojmë thirrjen e dashurisë
që Ai na drejton. Ka vetëm një rrugë për të shpëtuar nga vështirësitë, vuajtjet,
urrejtja, hakmarrja dhe e keqja që na shkatërron ..., kjo rrugë është Krishti!
Të njohësh Krishtin e Ngjallur dhe t’ua shpallësh këtë lajm të tjerëve, do të thotë:
të krijosh miqësi me Jezusin. Kjo lidhje e miqësisë me Jezu Krishtin i hap dyert e
jetës. Krishti i Ngjallur, Ai është e mira e pambaruar. Vetëm Ai është lumturia e
vërtetë. Ne të gjithë kemi nevojë për Zotin. Shpëtimi është Jezu Krishti, është Kryqi,
është Ngjallja e Zotit. Duhet ta lidhim jetën ngushtë me Kryqin e Krishtit. Në këtë
mënyrë njeriu e gjen udhën e humbur dhe zbulon se nuk është e lënë pas dore, në vetmi.
Na hapet rruga e shpresës së vërtetë. Kur ne jemi në shoqëri me Krishtin nuk sundon
vdekja, sepse Ai është "Ngjallja dhe jeta" (Gjn 11,25). Papa Françesku,
të Dielën e Larit na drejtoi këtë thirrje: “Nuk duhet të jeni kurrë burra e
gra të trishtuara: i krishteri nuk mund të jetë kurrë i trishtuar! Mos e humbni kurrë
guximin! Gëzimi ynë nuk lind nga pasja e shumë sendeve, lind nga takimi me një Vetje:
me Jezusin, që është mes nesh; lind nga vetëdija se me Të nuk jemi kurrë vetëm, edhe
në çastet më të vështira (…). E çaste të tilla nuk mungojnë. Pikërisht në këto çaste
vjen armiku, vjen djalli, i maskuar si engjëll e shpesh, tinëzisht, na e thotë fjalën
e tij. Mos e dëgjoni! Ndiqeni Jezusin!”. Shumë të dashur besimtarë, Kisha
e shpall Zotin e gjallë, e predikon Atë që prej kryqit i dhuroi njeriut dashurinë
dhe e liroi me Ngjallje. Edhe ne jemi të thirrur ta dëshmojmë sot Krishtin e Gjallë!
Dashuria dhe Drita e tij e ka mundur urrejtjen dhe errësirën. Drita e Krishtit të
ngjallur, është drita e gëzimit dhe e shpresës, drita që me forcën e saj largoi hijet
e trishtimit nga zemrat e vuajtura të të gjithë njerëzve. Jemi të thirrur që t’i dhurohemi
plotësisht Krishtit, sepse vetëm në Të mund të mbesim gjallë. Duhet të lejojmë që
i Ngjalluri të na kaplojë me Ngjalljen e Tij, që të kemi jetë në vetvete. Të gjithë
ne bartim në zemër dritën e Hyjit që Krishti na e ka sjellë. Në këtë botë ne jemi
bartësit e dritës së tij, sepse jemi pagëzuar dhe e kemi pranuar të Ngjallurin dhe
kemi besuar në fitoren e tij përfundimtare mbi errësirën. T’i lutemi Zotit që
ta njohim dashurinë e Tij të kryqëzuar. T’i lutemi që të na i përgatisë zemrat duke
na e dhuruar hirin për ta kërkuar në mesin e të gjallëve, për ta takuar të Ngjallurin,
që të jemi me Të. Të jemi dëshmitarë të denjë dhe lajmëtarë të Krishtit të Ngjallur.
T’i tregojmë botës se Krishti u ngjall! Ai është shpëtimi ynë, Ai është
lumturia e vërtetë. “Me Krishtin, zemra nuk plaket kurrë”, na thotë
Papa Françesku.
Me këto dëshira ju uroj Pashkët dhe ju përcjell bekimin tim
baritor. Për shumë vjet Pashkët!Imzot Lucjan Avgustini