2013-04-01 13:45:05

Papa Françesku në të Hënën e Engjëllit: ta pasqyrojmë fitoren e Krishtit mbi të keqen, në jetë, në shoqëri, në histori


“Krishti fitoi mbi të keqen” e na takon ne ta pasqyrojmë këtë fitore në jetë, në shoqëri e në histori. Kështu foli sot Papa Françesku, para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në të Hënën e Engjëllit, siç quhet e Hëna pas Pashkëve. Në Sheshin e Shën Pjetrit, si zakonisht, mijëra besimtarë e shtegtarë.
“Që urrejtja t’ia lerë vendin dashurisë, gënjeshtra, së vërtetës, hakmarrja, faljes, trishtimi, gëzimit” duhet që “Misteri i Pashkëve të veprojë thellë brenda nesh e në këtë kohën tonë”. Ati i Shenjtë iu lut Zojës, Mbretëreshës Qiellore, në mesditë, “në emër të Zotit të vdekur e të ringjallur”:
“Krishti fitoi mbi të keqen plotësisht e përfundimisht, por na takon neve, njerëzve të çdo kohe, ta pasqyrojmë këtë fitore në jetën tonë e në realitetin konkret të historisë e të shoqërisë”.
Mendimi i parë i Papës Françesku qe për më të vuajturit:
“Arriftë forca e Ringjalljes së Krishtit tek çdo njeri – sidomos tek ata që vuajnë – e në të gjitha situatat, ku ka më tepër nevojë për besim e shpresë”.
Më pas, Horhe Mario Bergolio nënvizoi se “Hiri i marrë përmes Sakramenteve të Pashkëve është mundësi e jashtëzakonshme për përtëritjen e jetës së secilit e të familjeve, për risimin e marrëdhënieve shoqërore”:
“Po, Pagëzimi që na bën bij të Hyjit, Eukaristia që na bashkon me Krishtin, duhet të bëhen jetë, pra, të duken në sjellje, qëndrime, gjeste e vendime”.
Por, vërejti Papa, gjithçka kalon përmes zemrës së njeriut:
“…nëse lejoj që Hiri i Krishtit të ringjallur të vijë tek unë, nëse e lejoj ta ndryshojë atë aspekt që nuk është i mirë, që mund të më bëjë keq mua e të tjerëve, unë i jap mundësi fitores së Krishtit të afirmohet në jetën time, ta zgjerojë veprimin e saj të dobishëm. Ky është pushteti i Hirit Hyjnor! Pa këtë Hir nuk mund të bëjmë asgjë”.
Pra, duhet ta shprehim me anë të jetës, Sakramentin që marrim, theksoi sërish Papa Françesku:
“Ja pra, të dashur vëllezër e motra, impenjimi ynë i përditshëm, por, do të thosha, edhe gëzimi ynë i përditshëm!”
Në fund, përshëndetja e thjeshtë, jo formale e Papës për të gjithë besimtarët:
“Për shumë vjet Pashkët e ju bëftë mirë dreka”.







All the contents on this site are copyrighted ©.