2013-04-01 16:03:36

Gratë në rolin e dëshmitareve të besueshme të Ringjalljes së Jezusit


Në këtë të Hënë pas Pashkëve, Kisha i kthen sytë nga gratë, që shkojnë në varrin e Jezusit dhe e gjejnë bosh. Ato janë dëshmitaret e para të Ringjalljes së Krishtit. Për këtë aspekt, të dëgjojmë komentin e teologes italiane Çetina Militelo:
Duhet të themi se gratë e ndjekin që në fillim Jezusin e Nazaretit. Nuk dalin papritur në pah vetëm në mëngjesin e ditës së Ringjalljes. Jezusi tregoi gjithnjë kujdes të veçantë për pengesat kulturore, fetare, fizike e ligjore, që hasnin gratë. E dëshmia e Ringjalljes është paradoks: Jezusi bën diçka të paparë, të pabesueshme, të papranueshme për atë kohë, sepse i bën dëshmitare të Ringjalljes së vet pikërisht gratë, të cilave nuk u lejohej dëshmia nga ligji hebraik e as që llogariteshin si subjekte në botën e lashtë. Del kështu në pah, paradoksi i Zotit, i cili përdor kritere të vetat, që ndryshojnë rrënjësisht nga rregullat e njeriut.

Një varr bosh. Kjo është shenja. Pashkët janë plot me engjëj e me lot, me pikëpyetje në shpirt e me vizione që ngushëllojnë. Por shenja e parë është varri bosh.
Në historinë e njeriut mungon një trup, që të dalë llogaria e të vrarëve. Është mangut një korp në llogaritë e vdekjes, e cila del me humbje: fitimtarja e përhershme mundet. Ringjallja e Krishtit e larton planetin tonë plot me varre drejt një bote të re, ku xhelati nuk e torturon viktimën e vet për amshim; ku perandoritë e themeluara mbi dhunën shemben; ku nga plagët e jetës lind dritë e bamirësi, që çelin nga pranvera e Zotit, dashurues i jetës.
Në agimin e ditës së parë pas së shtunës, në ato dritëza mëngjesore që mezi shihen, pikërisht atëherë, para se të duket i Ringjalluri, lind feja. Akoma është terr, por gratë shkojnë tek varri. Shkojnë të kujdesen për trupin e Jezusit. Me erërat e mira që kanë me vete, ashtu si dinë të bëjnë vetëm gratë.
E tregimi ungjillor flet krejt thjesht: “Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit”. Duhen pastaj, dy engjëj për ta vënë sërish në lëvizje rrotën e përshkrimit, duke kumtuar se e pamundura ishte bërë e mundur: “Ai s’është këtu! U ngjall!” Por fjalët e engjëjve nuk mjaftojnë, nuk shërbejnë; tjetër gjë është shenja, që do t’i bëjë të besojnë: “Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë…: ‘Duhet - thoshte ai - që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’” E grave, vetëm atëherë, u ranë ndërmend fjalët e Jezusit.
Gratë besojnë, sepse u kujtohet. Besojnë përmes fjalës së Jezusit, jo përmes fjalës së engjëjve. Nuk janë engjëjt, që i bëjnë të besojnë, por ajo fjalë e ruajtur në shpirt e që përflaket në zemër për hir të forcës që merr, kur bëhet e pranishme në kujtesë. E i kthen gratë në apostulle të apostujve. I mbajnë mend ato fjalë, sepse i duan: tek njeriu jeton vetëm ç’ka për zemër. Mendja ushqehet vetëm me gjërat që gëzojnë (sh. Augustini).
Ashtu si për gratë në agimin e Pashkëve, edhe për ne, kujtimi i dashur i fjalës së Tij është fillimi i çdo takimi me Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.