2013-03-31 15:49:11

Pashkët në Tokën Shenjte. Patriku Tual: Zoti hapi një shteg në mes vuajtjes sonë


Pashkët po jetohen në një atmosferë të thellë shpirtërore në Tokën e Jezusit, ku është tepër e fortë etja për paqe e për shpresë, siç u shpreh edhe Papa në mesazhin e tij të Solemnitetit, drejtuar Romës e Botës.

Sot Bazilika e Varrit të Shenjtë ishte plot me shtegtarë. Të gjithë sytë ishin mbërthyer te Varri i zbrazët, përballë të cilit u kumtua fitorja e Krishtit mbi vdekjen. Janë Pashkët e Jeruzalemit. Imzot Tual, patrik i Kishës latine, kryesoi Meshën solemne, pikërisht në vendin ku u ngjall Zoti. Në përfundim, procesioni u rrotullua rreth Varrit të Shenjtë, duke kënduar e duke kujtuar, në katër pika kryesore, Ungjijtë përmes të cilëve rijetohen ngjarjet e Ngjalljes. Duke u nisur nga vendi ku ndodhi gjithçka, lajmi i mirë dëshiron të përshkojë Planetin, deri në skajet më të harruara.
Në agun e Pashkëve, shpresa nuk njeh më kufij, tha patriku Tual në homelinë e solemnitetit, kryqet e jetës sonë nuk janë zhdukur, po Hyji hapi një shteg në mes të vuajtjes sonë e dëshiron të na hapë shtigje të reja ditë për ditë.
Imzot Tval kujtoi edhe Papën Françesku, duke i përsëritur ftesën për të vizituar Tokën e Jezusit, ashtu si të gjithë shtegtarët.

Nga Jeruzalemi, përmes mikrofonit tonë, urimi i Rojtarit të Tokës së Shenjtë, atë Pierbatista Picabala u drejtohet mbarë njerëzve vullnetmirë, e edhe shqiptarëve, që tashmë nuk mungojnë në Tokën, ku vdiq e u ngjall Zoti:“Kuptimi i Pashkëve është gjithnjë i njëjtë e megjithatë, gjithnjë i ri. Jezusi, që ngjallet, lind për një jetë të re e e përtërin jetën tonë. Uroj që pavarësisht nga vështirësitë e problemet, që e trazojnë jetën e të gjithëve, të bëhemi njerëz të rinj, të përtërirë nga dashuria e Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.