2013-03-31 09:58:12

Papa, Natën e Pashkëve: t’i hapim zemrat për të renë që sjell Zoti në jetën tonë (tekst i plotë)


Të dashur vëllezër e motra,
1. Në Ungjillin e kësaj Nate të ndritshme, të pagjumë, të Pashkëve, takojmë së pari gratë, që shkojnë tek varri i Jezusit me aroma, për të vajosur korpin e tij (cfr Lk 24, 1-3). Shkojnë për të kryer një vepër mëshire, dashurie, një gjest tradicional për një të vdekur të dashur, ashtu si bëjmë edhe ne. E kishin ndjekur Jezusin, e kishin dëgjuar dhe e kishin ndjerë se ai e vlerësonte dinjitetin e tyre dhe e kishin shoqëruar deri në fund të fundit, mbi Kalvar e në çastin e zbritjes nga kryqi. Mund t’i marrim me mend ndjenjat e tyre, ndërsa shkojnë tek varri: trishtim, dhimbje, sepse Jezusi i kishte lënë, kishte vdekur, historia e tij kishte marrë fund. Tani do të rikthehej jeta e mëparshme. Po gratë vijonin ta donin, e ishte dashuria për Jezusin, që i shtynte të shkonin tek varri. Por, në këtë pikë, ndodh diçka fare e papritur, që e trazon zemrën e tyre, programet e tyre e do ta përmbysë vetë jetën e tyre: shikojnë gurin e lëvizur nga gryka e varrit, afrohen, e nuk e gjejnë Zotin. Është një fakt që i shtang, i bën të dyshojnë e të pyesin: “Ç’po ndodh kështu?”. “Ç’kuptim ka gjithë kjo” (cfr Lk 24,4). A nuk na rastis, vallë, edhe ne kështu, kur ndodh diçka vërtet e re në të përditshmen tonë? Ndalemi, nuk e kuptojmë, nuk dimë si të sillemi. E reja shpesh na tremb; edhe e reja që na sjell Zoti, e reja, që Zoti na kërkon. Jemi si Apostujt e Ungjillit: shpesh na pëlqen të ruajmë vetveten, të ndalemi tek varri, tek mendimi për të vdekurin, që në fund të fundit jeton vetëm në kujtesën e historisë, si personalitetet e mëdha të së kaluarës. Kemi frikë nga të papriturat e Zotit; kemi frikë nga të papriturat e Zotit! Ai na çudit gjithnjë!
Vëllezër e motra, të mos e mbyllim zemrën para të rejave, që Zoti dëshiron të sjellë në jetën tonë! Jemi shpesh të lodhur, të zhgënjyer, të trishtuar; e ndjejmë fort barrën e mëkateve tona, mendojmë se nuk mund t’ia dalim mbanë? Nuk duhet të mbyllemi kështu në vetvete, nuk duhet ta humbasim besimin, nuk duhet të dorëzohemi kurrë: nuk ka situata, që Zoti s’ mund t’i ndërrojë, nuk ka mëkat, që s’ mund ta falë, në se ia hapim zemrën.

2. Por, të kthehemi tek Ungjilli, tek gratë, e të bëjmë një hap përpara. Gratë e gjejnë varrin të zbrazët, trupi i Jezusit nuk është, diçka ka ndodhur, por çka? Nuk është aspak e qartë: të shtyn të pyesësh, të lë mëdyshas. E ja, dy njerëz me veshje flakëruse, që thonë:”Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur?”(Lk 24,5-6). Ky, që ishte një gjest i thjeshtë, një gjest, i kryer sigurisht për dashuri - vizita te varri - tani bëhet ngjarje, që e ndërron me të vërtetë jetën. Asgjë nuk është si më parë. E jo vetëm në jetën e këtyre grave, por edhe në jetën tonë e në historinë e njerëzimit. Jezusi nuk ka vdekur, është ngjallur, është i Gjalli. Nuk është thjeshtë i kthyeri në jetë, po jeta vetë, sepse është Biri i Zotit, i Gjalli!(cfr Nm 14,21-28; Lp5,26; Joz3,10). Jezusi nuk është më në të kaluarën, por jeton në të sotmen e drejtohet kah e ardhmja, është “e sotmja” e amshuar e Hyjit. Kështu paraqitet e reja e Hyjit para syve të grave, të dishepujve, të ne të gjithëve: fitore mbi mëkatin, mbi të keqen e mbi vdekjen, mbi gjithçka, që e ndrydh jetën e i jep fytyrë më pak njerëzore. Është mesazh që më drejtohet mua, ty e dashur motër e i dashur vëlla. Sa herë ndjejmë nevojën që dashuria të na thotë: pse e kërkon ndër të vdekur, atë që është gjallë? Problemet, shqetësimet e përditshme na shtyjnë të mbyllemi në vetvete, në trishtim, në dhimbje ... e aty është vdekja. Nuk duhet ta kërkojmë aty, Atë që është i gjallë!
Prano, atëherë, që Krishti i Ngjallur të hyjë në jetën tënde, prite si mik, me besim: Ai është jeta! Nëse deri tani ishe larg tij, bëje një hap të vogël: do të të presë me krahë hapur. Nëse je indiferent, prano të rrezikosh: nuk do të mbetesh i zhgënjyer. Nëse të duket e vështirë ta ndjekësh, mos kij frikë, besoi Atij, të jesh i sigurtë se Ai është pranë teje, është me ty e do të të japë paqen, që kërkon e forcën për të jetuar si dëshiron Ai.

3. Është edhe një element tjetër, i thjeshtë nga Ungjilli i kësaj Nate të ndritshtme pa gjumë, që dua të nënvizoj. Gratë takohen me risinë e Zotit; Jezusi u ngjall, është i Gjalli: por përballë varrit të zbrazët e dy njerëzve me petka flakëruese, reagimi i tyre i parë është frika: “E mbanin kokën ulur”, vëren Shën Luka, e nuk kishin guxim as të shikonin. Por kur e dëgjojnë kumtimin e Ngjalljes, e pranojnë me besim. E dy njerëzit me petka flakëruese përdorin një folje themelore: “T’ju bjerë në mend çka ju pat thënë kur ishte akoma në Galilé... E atyre u ranë në mend fjalët e tija” (Lk 24,6.8). Është ftesë për ta kujtuar takimin me Jezusin, për t’i kujtuar fjalët e tij, gjestet, jetën e Tij; e pikërisht ky kujtim plot dashuri i takimit me Mësuesin i shtyn gratë ta kapërcejnë çdo frikë e t’ua çojnë lajmin e Ngjalljes Apostujve dhe gjithë të tjerëve (cfr Lk 24,9). Të kujtosh atë, që Hyji bëri e bën për mua, për ne, të kujtosh udhën e përshkuar, është kjo, që ta mbush zemrën me shpresë për të ardhmen. Ta kujtojmë, prandaj, atë që bëri Zoti në jetën tonë.

Në këtë Natë drite, duke kërkuar ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, që e ruante çdo ngjarje në zemër të vet (cfr Lk 2,19.51), t’i kërkojmë Zotit të na bëjë pjesëtarë të Ngjalljes; të na e hapë zemrën, për risinë e Tij, që shndërron; për të papriturat e Hyjit; të na bëjë burra e gra të afta për të kujtuar atë, që Ai kryen në historinë tonë personale e në atë të botës; të na bëjë të aftë ta ndjejmë se Ai është i Gjallë, i gjallë e veprues mes nesh; të na mësojë të mos e kërkojmë ndërmjet të vdekurve Atë, që është gjallë. Amen!









All the contents on this site are copyrighted ©.