Në Sheshin e Shën Pjetrit shkel pranvera e Ngjalljes së Krishtit
Sot, në Mesazhin drejtuar Romës e Botës, kur përshëndeti në gjuhën holandeze, Papa
shprehu mirënjohjen e tij të thellë për lulet e mrekullueshme, ardhur nga Vendet e
Ulëta, që zbukurojnë Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e solemnitetit të Pashkëve.
Kanë kaluar 28 vjet nga Pashkët e para, kur Sheshi i Shën Pjetrit u stolis me lule
shumëngjyrëshe, ardhur nga Holanda. Zbukurimi me lulet e para të pranverës e me drunj
dekorativë kopshti, tashmë tradicional, nisi në vititn 1985. Ndërmjet ngjyrave të
shumta, spikasin ngjyrat e Vatikanit, e bardha dhe e verdha. E harmonia e pranverës,
duket sikur merr pjesë në shpalljen me forcë të re të lajmin e ringjalljes, të dritës
e të gëzimi, që buron nga Pashkët e Krishtit. Një grup mjeshtrash nga sektori
holandez i ortikulturës, punuan me ritëm të plotë, për t’i mbuluar shkallët e gurta
të tremes së Bazilikës, me bar të njomë, mbi të cilin sivjet mbollën 40.000 lule e
1.500 bimë e drunj, në lulëzim të harlisur. Dhjetra kompozicione renditen rreth elterit,
mbi shkallët e mbi ballkonin, prej nga Papa i drejtoi mbarë botës mesazhin e Ngjalljes
së Krishtit. Harmonizohen me hijeshi të jashtëzakonshme e me bimët zbukuruese, që
nga zymbylat ngjyrë trëndafili, të bardhë, vjollcë, blu, tek tulipanet me të njëjtat
ngjyra, që lulëzojnë pranë e pranë me narcizet, azaletë, pastaj me kumbullat e drunjtë
e tjerë, përplot me lule, me lartësi deri në 4 metra. Shkëlqim e forcë i jep
kjo pranverë në miniaturë, Sheshit madhështor, shumëshekullor, që ka parë aq shumë
papë, kardinaj, ipeshkvij, kremtime, lule, njerëz… E edhe shumë shenjtorë. E sivjet,
po shikon për herë të parë në Lozhën e Bekimeve, Papën Bergolio, Françeskun. Miliona
teleshikues nga mbarë bota ndjekin çdo vit kremtimin e Meshës Shenjte të Pashkëve.
Me këtë rast, mund të admirojnë edhe shkëlqimin e forcën e madhe emocionuese, që kanë
lulet e pemët zbukuruese. Me dy fjalë, Mesha e Pashkëve kremtohet në një skenografi,
e cila i nderon kultivuesit holandezë të luleve, që kënaqin këto ditë mbarë botën,
drejpërdrejt e në televizion. Grupi i kopshtarëve holandezë, si zakonisht, nisën
që të Martën e Madhe nga Holanda, për të arritur në Romë, të Premten e Madhe, së bashku
me lulet, transportuar në ajër të kushëzuar. Nisi menjëherë shkarkimi i bimëve, për
të përfunduar në orën 6.00 të së Shtundes së Madhe, kur, nën, rrezet e para të diellit,
krijuan kompozimet vërtet mahnitëse. Mjeshtri i parë, realizues i një skenografie
të tillë, është kompozitori i luleve Nic van der Voort, ftuar në Romë me rastin e
lumnimit të meshtarit holandez, Titus Brandsma. Që atëherë lindi tradita e zbukurimit
të Sheshit të Shën Pjetrit, që sot përkoi aq mrekullisht me mesazhin, plot me shpresën
e një pranvere të re, sidomos shpirtërore, të solemnitetit të Pashkëve.