2013-03-30 15:41:41

Mesazhi i Pashkëve nga ipeshkvi Kosovës imzot Dodë Gjergji


MESAZHI I SHKELQËSISË SË TIJ IMZOT DODË GJERGJITPËR PASHKË 2013Drejtuar priftërinjve,
rregulltarëve dhe rregulltarëve
besimtarëve dhe
të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë

Fort të dashur vëllezër e motra,
në Krishtin e Ringjallur!
Vdekja është momenti më i pa dëshiruar i jetës sonë, madje në realitetin e jetës mbi tokë, njeriu dëshiron të mos mendojë mbi vdekjen, sepse ajo ia përkujton vajin, trishtimin, zemërthyerjen, mbarimin, varrin. Kisha, nëpërmjet festimit të Pashkëve, dëshiron të hyjë në misterin e ngjarjes së Kalvarit, për të kujtuar mundimin dhe vdekjen e Krishtit, për të përjetuar gëzimin e Ringjalljes së Jezusit nga varri dhe për të mbajtur gjallë shpresën se Hyji do të na ringjall edhe ne në ditën e fundit. Zoti, sikur e shfaqi lavdinë e vet, duke ringjallur Birin, ashtu do të vazhdojë të shfaqë lavdinë e Tij, dhe ashtu siç vdekja s’ka pasur kurrfarë pushteti mbi të, nëpërmjet Tij, s’do të ketë pushtet as mbi ne.
Festa e Pashkëve s’është vetëm një ditë, por një kohë e shenjtë në vitin liturgjik të jetës së Kishës. Fillon me kremtimin kreshmor të Pashkëve, kur ne me agjërim, me pendesë, me uratë, me lutje dhe me lëmoshë, përgatitim zemrat tona që të jenë të afta “të mohojnë botën e të përqafojnë Zotin”. Gjatë Treditëshit të Shenjtë dëshmojmë se si e kryqëzuan dhe e varrosën, dhe thellohemi në misterin e shëlbimit tonë, që të akumulojmë fuqi të reja gëzimi e feje, për të klithur të Dielën e Pashkëve: Aleluja. E për t’i dëftuar botës se Krishti është gjallë dhe se ne vdesim në Të, e Ai jeton në ne.
Sipas ungjilltarëve, të dielën herët në mëngjes, gratë shkuan te varri dhe panë që guri ishte rrokullisur e varri ishte i zbraztë. Pjetri, erdhi te varri dhe pa rizën e vënë palë-palë, po edhe nxënësi tjetër “pa dhe besoj”! (khs. Gjn 20, 1-8). Gratë me trishtim hapen lajmin: nuk është në varrë! Nxënësit panë me sytë e fesë dhe besuan. Dy nga nxënësit e dëshpëruar gjatë kthimit në Emaus, e njohën në thyerjen e bukës. Të dymbëdhjetit e panë kur erdhi ndër ta e ju tha: “Paq me ju”. Tomës dyshues, i dha mundësin t’ia prekë varët e Tija që të sheh e të besoj. Në Galile, u ngrit në qiell, para syve të gjithë nxënëseve të Tij dhe në të pesëdhjetën ditë pas ngjalljes, dërgoj mbi Apostuj Shpirtin Shenjt dhe nëpërmjet Tij lindi Kisha.
E diela e Pashkëve është ballafaqim më të vërtetën hyjnore-njerëzore, ku takohen lavdia e të Kryqëzuarit në ngjallje dhe gëzimi i atyre që panë dhe besuan. Ky takim i lavdisë hyjnore me lumturin e zemrës njerëzore, bën që të galdojë qielli e toka. Por, për të qenë pjesë e kësaj lavdie e për të përjetuar këtë lloj lumturie dhe për të galduar me gëzim, lypet të kemi të pamunit e fesë, sepse sytë e besimtarit arrijnë të shohin se zemra e tij, s’është varr i zbraztë , por shtëpi e bukur për Krishtin e Ringjallur. Vetëdija e tillë plot fe dhe besim, na bashkon me të Ringjallurin, i cili, duke ndryshuar zemrat e njerëzve, themelojë një bashkësi të re njerëzore, që s’do të vdes, por do të jetoj për amshim.
Me këtë fe, Kisha i thërret të bijtë e vetë dhe njerëzit vullnetmirë, që janë në kërkim të së vërtetës, që nëpërmjet pagëzimit të vdesin për mëkatin e të shndërrohen në njerëz të ri, të cilët sa janë gjallë jetojnë me hirin hyjnor e kur të vdesin e dinë që do të jetojnë. Feja dhe besimi në të Ringjallurin ndihmon çdo njeri, që të mos dorëzohet para kësaj bote plotë interes e pa dashuri, plot kënaqësi e pa gëzim, plot optimizëm e pa shpresë. Botë e cila, për të mbërri kënaqësitë ka arrit të shkatërrojë bukurinë e natyrës, çiltërsinë e zemrës, t’i zë frymën ndërgjegjes, të shpërbëj bashkësinë familjare dhe t’i mohojë vlerat njerëzore. E, për ta qetësuar ndërgjegjen e vet, në vend të kthimit, e dëshpëruar, kërkon argumente të mira për ta arsyetuar të keqën e vet.
Me të njëjtën dashuri, kisha fton shoqërinë tonë dhe njeriun tonë, të vihet në mbrojtje të së vërtetës çfarëdo që është ajo, dhe të mos lejojë që të nënshtrohet para sakrificave të reja, para padrejtësive shoqërore, para varfërisë ekonomike e shpirtërore, para pabarazisë sociale, para ekstremizmit dhe fanatizmit fetar, para harresës historike, para nostalgjikeve të së kaluarës së dhimbshme, para mohuesve të së vërtetës e as para braktisësve të qëllimshëm të traditës, të kulturës, të tolerancës ndërfetare dhe të dashurisë ndërvëllazërore.
Kisha angazhohet të ofroi Krishtin e Ringjallur dhe fton njeriun që të marrë pjesë në sakrificë me dashuri që fisnikëron, që e rrit dhe e zhvillon atë në të gjitha përmasat. Njëkohësisht, përpiqet të jetë pararojë në ruajtjen e atyre vlerave që i kemi trashëguar dhe ruajtur me mund, vuajtje dhe sakrificë gjatë së shkuarës, në mënyrë që ligështia e dikurshme të mos na ofrohet si virtyt, e në anën tjetër, të mos përbuzët besnikëria, qëndresa dhe sakrifica jonë.
Lus Zotin e Ringjallur të na mbushë me paqe, me dashuri e me gëzim në mënyrë që të jemi të gjithë njerëz të ndershëm, besimtarë besnik, qytetarë të përgjegjshëm, prindër të mirë dhe të kemi familje të shenjta.
Për shumë mot Pashkët!
Ipeshkvi i Juaj
+ Dodë Gjergji







All the contents on this site are copyrighted ©.