Meditim për Pashkët: “Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?”
Nga Ungjilli sipas Lukës: “Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?” Një varr bosh.
Kjo është shenja. Pashkët janë plot me engjëj e me lot, me pikëpyetje në shpirt e
me vizione që ngushëllojnë. Por shenja e parë është varri bosh. Në historinë e
njeriut mungon një trup, që të dalë llogaria e të vrarëve. Është mangut një korp në
llogaritë e vdekjes, e cila del me humbje: fitimtarja e përhershme mundet. Ringjallja
e Krishtit e larton planetin tonë plot me varre drejt një bote të re, ku xhelati nuk
e torturon viktimën e vet për amshim; ku perandoritë e themeluara mbi dhunën shemben;
ku nga plagët e jetës lind dritë e bamirësi, që çelin nga pranvera e Zotit, dashurues
i jetës. Në agimin e ditës së parë pas së shtunës, në ato dritëza mëngjesore që
mezi shihen, pikërisht atëherë, para se të duket i Ringjalluri, lind feja. Akoma është
terr, por gratë shkojnë tek varri. Shkojnë të kujdesen për trupin e Jezusit. Me erërat
e mira që kanë me vete, ashtu si dinë të bëjnë vetëm gratë. E tregimi ungjillor
flet krejt thjesht: “Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit”. Duhen pastaj, dy engjëj
për ta vënë sërish në lëvizje rrotën e përshkrimit, duke kumtuar se e pamundura ishte
bërë e mundur: “Ai s’është këtu! U ngjall!” Por fjalët e engjëjve nuk mjaftojnë, nuk
shërbejnë; tjetër gjë është shenja, që do t’i bëjë të besojnë: “Le t’ju bjerë në
mend çka ju pati thënë…: ‘Duhet - thoshte ai - që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve
mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’” E grave, vetëm atëherë,
u ranë ndërmend fjalët e Jezusit. Gratë besojnë, sepse u kujtohet. Besojnë përmes
fjalës së Jezusit, jo përmes fjalës së engjëjve. Nuk janë engjëjt, që i bëjnë të besojnë,
por ajo fjalë e ruajtur në shpirt e që përflaket në zemër për hir të forcës që merr,
kur bëhet e pranishme në kujtesë. E i kthen gratë në apostulle të apostujve. I mbajnë
mend ato fjalë, sepse i duan: tek njeriu jeton vetëm ç’ka për zemër. Mendja ushqehet
vetëm me gjërat që gëzojnë (sh. Augustini). Ashtu si për gratë në agimin e Pashkëve,
edhe për ne, kujtimi i dashur i fjalës së Tij është fillimi i çdo takimi me Krishtin. Pjetri
e Gjoni vrapojnë drejt varrit. Vetëm për Gjonin thuhet se pa e besoi. E çfarë pa?
Fasha e qefin bosh, një trup që mungon. Beson se Jezusi është gjallë, që para se ta
shihte. Pse? Sepse Gjoni është “dishepulli që Jezusi e donte”. Është objekt dashurie,
e lë veten ta duan e kjo dashuri pasive është përvoja, që i zbulon sekretin jetësor
të Krishtit. E kthehet kah Zoti si një luledjelli e çmendur nga drita. Ai, dishepulli
kaq i dashur, beson i pari në ringjalljen; ai e quan Hyjin me emrin më të mrekullueshëm:
“Zoti është dashuri”. Ta lesh veten në dorën e Hyjit, që Zoti të të dojë, është diçka
plot me zbulesë hyjnore. Atëherë, më duaj, o Zot. Sikur të isha Gjoni. Edhe
nëse s’jam aspak për t’u dashur, edhe nëse unë vetë të dua pak, edhe nëse të harroj,
më duaj Ti, o Zot. Kur jam i lodhur, kur ma mbushin plot shpirtin dyshimet, kur mendoj
se të dua Ty, pa dashur të tjerët – më duaj Ti, o Zot. E atëherë do ta di me siguri
se je gjallë.