E Shtuna e Madhe dita e tretë e Treditëshit të Pashkëve
E Shtuna e Madhe, dita e tretë e Treditëshit e Nata e Shenjtë e Pashkëve të Ngjalljes
së Krishtit. E Shtuna e Madhe e Pashkëve është dita e varrimit dhe e heshtjes.
Mirëpo në barkun e tokës ruhet e rritet porsi fara, fidanishtja e jetës së re. Në
këtë Natë të Shenjtë, në të cilën Jezu Krishti, Zoti ynë kaloj nga vdekja në jetë,
Kisha, e përhapur kudo në botë, i thërret bijtë e vet të rrinë zgjuar në uratë. Në
këtë Natë të Shenjtë, e rijetojmë Pashkën e Zotit përmes dëgjimit të Fjalës Hyjnore
dhe pjesëmarrjes në Sakramente; Krishti i Ngjallur e përforcon në ne shpresën e
pjesëmarrjes tonë në fitoren e Tij mbi vdekje e na ofron mundësinë të jetojmë me Të
në Hyjin Atë. Kremtimi i Natës së Ngjalljes së Jezu Krishtit është zemra e thelbi
i krishterimit, është qendra e kulmi i tërë vitit liturgjik kishtar. Besimtarët
e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të
Mirë të Ngjalljes së Shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit.