2013-03-29 12:39:02

Patriku Tual: paqja në Tokën Shenjte është kyçi i paqes në rajon.


Me kremtimet e së Premtes së Shenjtë, nisi kremtimi i pjesës së fundit të Javës së Madhe: sot paradite, në orën 8.00 (6.00 me orën evropiane), u hapën portat e Varrit të Shenjtë në zemër të qytetit të lashtë të Jeruzalemit, përplot me shtegtarë e turistë të krishterë e jo. Pastaj, Riti i Udhës së Kryqit, kryesuar nga Patriku latin imzot Fuad Tual i cili, të Dielën e Pashkëve, do të kryesojë Meshën solemne të Ngjalljes së Zotit.
Krijohet, kështu, një urë simbolike ndërmjet Jeruzalemit e Koloseumit, ku Papa Françesku do të kryesojë Udhën tradicionale të Kryqit, e para e papnisë së tij.
Ndërsa dje, duke kremtuar ritet e së Enjtes së Madhe, patriku Tual u ndalua tek situata e trishtuar në Lindjen e Mesme. “Lindja jonë e Mesme vuan në thellësi të shpirtit – theksoi - e unë mendoj se politikanët nuk do të arrijnë kurrë të vendosin demokracinë e drejtësinë, derisa Toka jonë e Shenjtë do të vijojë të shtypet nën barrën e konfliktit të pafundmë. Paqja në Tokën Shenjte është kyçi për paqen në Lindjen e Mesme” – theksoi patriku latin i Jeruzalemit, imzot Tual, autoriteti më i lartë katolik në Tokën e Shenjtë, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar të Enjten e madhe në bazilikën e Varrit Shenjt.
Imzot Tual foli edhe për situatën në Siri, duke theksuar: “Zemra jonë kullon gjak duke parë sesi Siria vijon të zhytet edhe më thellë në pellgun e dhunës, që nuk mund të ketë emër tjetër, veç atij të tërbimit njerëzor".
Nga Toka, ku dymijë vjet më parë u Kryqëzua e u ngjall Krishti, patriku Tual i fton të gjithë besimtarët të luten për Kishën në ato vise, që panë Jezusin, për Tokën Shenjte e për gjithë Lindjen e Mesme, që Zoti t’i lajë e t’i pastrojë nga pluhuri i përçarjes, i pabesisë, i padrejtësisë dhe i etjes për pushtet.







All the contents on this site are copyrighted ©.