2013-03-29 22:30:57

Papa, në përfundim të Udhës së Kryqit: Përgjigjja e Zotit, është Kryqi; të ecim duke pritur Ngjalljen e Jezusit.


Në përfundim të Udhës së Kryqit 2013, Papa Françesku, që e kremtoi për herë të parë në Koloseum këtë rit tejet prekës, iu drejtua mijëra besimtarëve, të pranishëm fizikisht e përmes mjeteve të komunikimit, me fjalët:

Të dashur vëllezër e motra,

ju falënderoj që morët pjesë me shumicë në këtë çast lutjeje të thellë shpirtërore. E i falënderoj edhe të gjithë ata, që u bashkuan me ne përmes mjeteve të komunikimit, posaçërisht të sëmurët e të moshuarit.
Nuk dua të shtoj shumë fjalë. Në këtë natë duhet të mbetet një fjalë e vetme, që është vetë Kryqi. Kryqi i Krishtit është Fjala, me të cilën Hyji iu përgjigj së keqes së botës. Nganjëherë na duket se Hyji nuk i përgjigjet së keqes, se rri në heshtje. Në të vërtetë Zoti foli, u përgjigj, e përgjigjja e tij është Kryqi i Krishtit: një Fjalë, që është dashuri, mëshirë, falje. E edhe gjykim: Zoti na gjykon, duke na dashur. Ta kujtojmë këtë: Zoti na gjykon duke na dashur! Në se e pranoj dashurinë e tij, shpëtoj, në se nuk e pranoj, dënohem, jo prej Tij. Dënoj vetveten, sepse Hyji nuk dënon; Ai di vetëm të dojë e të shëlbojë.
Të dashur vëllezër, fjala e Kryqit është edhe përgjigjja, që i japin të krishterët së keqes, e cila vijon të veprojë në ne e rreth nesh. Të krishterët duhet t’i përgjigjen së keqes me të mirë, duke marrë mbi vete kryqin, si Jezusi. Sonte dëgjuam dëshminë e vëllezërve tanë të Libanit: ata i hartuan këto meditime e këto lutje të bukura. I falënderojmë nga zemra për këtë shërbim e, sidomos, për dëshminë që na japin. E pamë kur Papa Benedikti shkoi në Liban: e pamë bukurinë dhe forcën e bashkimit të të krishterëve të kësaj Toke e edhe miqësinë e vëllezërve myslimanë e shumë të tjerëve. Ishte shenjë për Lindjen e Mesme e për mbarë botën: shenjë shprese.
Atëherë ta vijojmë Udhën e Kryqit në jetën e përditshme. Të ecim së bashku në Udhën e Kryqit, të ecim duke e mbartur në zemër këtë Fjalë dashurie e faljeje. Të ecim, duke pritur Ngjalljen e Jezusit. I cili na do fort. E është i tëri Dashuri!

Në përfundim, Papa Françesku u dha atyre, që e ndiqnin edhe përmes mjeteve të komunikimit, posaçërisht, siç u shpreh ai vetë, njerëzve që mbartin në trup, në mijëra mënyra, plagët e Zotit në kryq, Bekimin e tij Apostolik.









All the contents on this site are copyrighted ©.