2013-03-29 13:47:30

E Premtja e Madhe dita e dytë e Treditëshit të Pashkëve


E Premtja e Madhe e Pashkëve për Kishën katolike është ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve dhe e vdekjes së Krishtit të gozhduar mbi Kryq, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë.
Kështu, të Premten e Madhe të Pashkëve, liturgjia kishtare na fton të meditojmë mbi misterin e mundimeve, të dhimbjes e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq. E këtë ditë të Shenjtë, Kisha nuk kremton Eukaristinë, pra Meshën, po vetëm Liturgjinë e Fjalës Hyjnore, Adhurimin e Kryqit të Shenjtë dhe ritin e shpërndarjes së Eukaristisë, do të thotë të Kungimit.
Mundimet dhe Vdekja e Jezusit mbi kryq që kundrohen të Premten e Madhe të Pashkëve lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbrame. E kush e injoron Jezusin e kryqëzuar nuk mund ta kuptojë Eukaristinë. Vetëm duke marrë pjesë në flijimin e Krishtit mund të merret forca për larjen e këmbëve e për zgjedhjen e vendit të mbarë, pra për t’u bërë shërbëtorë. Kështu në Darkën e Mbrame, Jezusi na dhuron Korpin e Gjakun e vet, do të thotë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij e duke e shndërruar atë në një akt dashurie e shëlbimi për mbarë njerëzimin. Kështu vdekjen, e cila për vetë natyrën e saj, është fund i fundit, shkatërrim i çdo lidhjeje, Jezusi e bën akt të dhurimit të plotë të vetvetes, mjet shëlbimi e shpallje të fitores së dashurisë mbi urrejtjen e vdekjen. Në këtë mënyrë Jezusi bëhet vendimtar për jetën e vërtet të çdo njeriu, për ta kuptuar Darkën e Mbrame, çastin e shndërrimit të vdekjes së dhunshme në flijim vullnetar, në akt dashurie, që shpërblen e shëlbon njerëzimin e botën mbarë.
Gjithnjë të Premten e Madhe të Pashkëve kemi edhe një rast të përshtatshëm për të medituar mbi misterin e madh të së keqes, të keqit e të mëkatit, që peshon rëndë mbi njerëzimin. E për ta kuptuar këtë mister, na ndihmojnë shumë ritet liturgjike si rrëfimi i historisë së mundimeve të Krishtit, pastaj edhe manifestimet e përshpirtërisë popullore, si Udha e Kryqit ose shfaqje tjera kishtare, të cilat kanë si qëllim të lenë gjurmë sa më të thella në zemrën e besimtarëve, duke ndihmuar pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në flijimin e Jezusit Zot e Shpëtimtar.
E kështu, deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, në të cilën zhytet e tërë bashkësia katolike, të gjitha Kishat, me altarët e zhveshur nga stolitë, i ftojnë besimtarët t’ia hapë shpirtin Mëshirës Hyjnore. Në këtë ditë, rëndësi të madhe ka pjesëmarrja e besimtarëve në Sakramentin e Rrëfimit apo të Pajtimit me Zotin e të afërmin tonë, rrugë e domosdoshme kjo për të pastruar zemrën e shpirtin dhe për t’u përgatitur për pjesëmarrjen e kremtimin e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit, me shpirt të përtërirë, në pajtim me Hyjin Atë e të afërmin. E sipas porosisë së Kishës, çdo besimtar katolik, së paku një herë në vit, ka nevojë dhe obligim të rrëfehet, pra të përtërijë shpirtin përmes Sakramentit të Pajtimit e të marrë pjesë në Eukaristinë e Dielës së Krishtit të Gjallë.
Udha e Kryqit - Udhë feje
Në Jezusin e dënuar me vdekje,
do të njohim gjyqtarin universal;
në Të, ngarkuar me Kryq, Shëlbuesin e botës;
në Të të kryqëzuar, Zotërinë e historisë,
Birin e vetë Zotit.
Natë e së Premtes së Shenjtë,
natë e vaktë, e dridhshme e hënës së parë të plotë të pranverës.
Jemi mbledhur në emër të Zotit,
Ai është këtu, me ne, ashtu si na pati premtuar.
Me ne është edhe Shenjta Mari.
Ajo ishte në majë të Golgotës,
si Nënë e Birit që vdiste.
Nxënëse e Mësuesit të së vërtetës
Evë e re rrëzë drurit të jetës.
Grua e dhimbjes,
pranë "Njeriut të dhimbjeve", që e di mirë ç'është vuajtja;
Bijë e Adamit, Motra jonë, Mbretëresha e Paqes.
Nënë e mëshirës, ajo përkulet mbi bijtë e vet
që rishtas janë në rrezik, e janë plot ankth
për t'ua lehtësuar vuajtjet,
për të dëgjuar rënkimet që ngrihen nga mjerimi i tyre;
për t'i ngushëlluar e për të ngjallur shpresën e paqes.
Nga kraharori i shporuar i Shëlbuesit gufon ende gjak;
gjak derdhet e shtohen viktimat
e urrejtjes, të luftës, të terrorizmit.
Bëj, o Zot, që ngjarjet e botës
të rrjedhin sipas vullnetit tënd, në drejtësi e paqe,
e Kisha jote t'i kushtohet me besim të plotë,shërbimit tënd e çlirimit të njerëzimit!







All the contents on this site are copyrighted ©.