2013-03-28 12:21:14

Treditëshi i Pashkëve, qendër e shpresës së krishterë


Ngjarjet dramatike që paraprijnë e pasojnë Mundimet e Krishtit na krijojnë mundësinë të rikuptojmë, në heshtjen e shpirtit, se flijimi i Jezusit është qendra e jetës sonë, në një botë ku ndjehet fort inflacioni i fjalëve. Ky është një nga mendimet e Kishës që u drejton besimtarëve, gjatë riteve të shenjta të Treditëshes së Pashkëve.
Fillon me një natë, në të cilën dielli ka përendur jo vetëm mbi tokë, e përfundon me agimin e një dite, ndriçimi i së cilës ia kalon atij të diellit. E ndërmjet këtyre dy skajeve kohore, ri-jetojmë atmosferën dramatike të Mundimeve të Krishtit që përfundojnë Natën e Pashkëve me britmën e fitores: “Krishti u ngjall, vdekja u mund!”. Me këto figura dhe ngjyrime, Kisha na prinë në misteret e Treditëshes së Pashkëve që nisi me të Enjten e Madhe, kur ndodhen ballë për ballë Jezusi dhe Juda. Takohen, jo rastësisht, natën. Kur tradhtari largohet nga Çenakulli, në shpirtin e tij dyndet errësira – nata e shpirtit, në sa në shpirtin e dishepujve të tjerë, hutimi. Edhe ata shkojnë drejt natës, në sa hijet e braktisjes e të urrejtjes bëhen gjithnjë më të dendura mbi Birin e Njeriut që niset për t’u flijuar mbi kryq. Ngjarja që do të rikujtojmë në ditët e ardhshme është ndeshja më e rreptë ndërmjet Dritës dhe Errësirës, ndërmjet Jetës e Vdekjes. Duhet ta ndjejmë veten të pranishëm në këtë ngjarje, të vetëdijshëm për natën tonë, natën e fajeve tona e të përgjegjësive tona, në se duam ta jetojmë me përfitim shpirtëror Misterin e Pashkëve, në se dëshirojmë të fitojmë dritën e zemrës përmes këtij Misteri, që përbën thelbin e fesë sonë”.
E Enjtja e Madhe është dita e emocioneve për meshtarët, dita në të cilën Jezusi, në një farë mënyre, përjeton vdekjen e tij në copën e bukës së Eukaristisë së parë. Por të njëjtët dishepuj që e rrethojnë në këtë çast të fortë bashkimi kishtar, pak më vonë, në orën e agonisë së Mësuesit Hyjnor, do të zhyteshin në gjumë të thellë, gjumë që nuk është i panjohur as për të krishterët e ditëve tona. Shohim se nxënësit fjetën, duke e lënë Zotin vetëm. Edhe ne sot shpesh herë flemë, ne, nxënësit e tij. Në këtë natë shenjte të Gjetsemanit dëshirojmë të rrimë zgjuar, nuk duam ta lëmë Zotin vetëm.
Lutja, shoqëruar me pendesë e agjërim është tipari kryesor i së Premtes së Madhe. Skena e Kalvarit, e rrëfyer nga Liturgjia, sipas fjalëve të Gjon Krizostomit, e paraqet Kryqin sa si simbol të dënimit, aq edhe si burim të paqes. E historia e pabesisë njerëzore, e cila e çon Krishtin drejt vdekjes, ri-kujtohet hap pas hapi në Udhën e Kryqit, që e mëson të krishterin ta shikojë Krishtin me sytë e zemrës e të dashurisë, ashtu si bëhet të Premten e Madhe të Pashkëve nëpër Kisha e vende të ndryshme.
Pastaj vjen e Shtuna e Madhe e Pashkëve që është ditë e heshtjes.
E Shtuna e Madhe është dita në të cilën liturgjia hesht, dita e heshtjes së madhe, e të krishterët ftohen ta kalojnë në lutje. Në inflacionin e fjalëve që dëgjojmë sot, është ditë tepër e nevojshme kjo ditë heshtjeje. Shën Gregori i Madh një herë pati thënë: ‘Duke mos folur, mësojmë të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”.
Nata e Pashkëve, me ritet e veta të bekimit të ujit e të zjarrit dhe me shpalljen e Ngjalljes së Krishtit, bën të shndrisë fytyra gjithnjë e re dhe e bukur e Kishës, e cila u kujton besimtarëve se Treditëshja e Pashkëve nuk është kujtim i realitetit të së kaluarës, por është realitet aktual. Krishti edhe sot, me dashurinë e tij fiton mbi mëkatin e mbi vdekjen. E keqja, në të gjitha format e veta, nuk do ta thotë fjalën e fundit. Në fund të fundit do të ngadhënjejë Krishti, e vërteta, dashuria. Në se jemi gati të vuajmë e të vdesim me Të, siç na tregon shën Pali Natën e Pashkëve, jeta e Tij do të bëhet jeta jonë. Mbi këtë siguri mbështetet dhe ngrihet jeta jonë e krishterë ..







All the contents on this site are copyrighted ©.