2013-03-28 15:55:26

Tragjedia e shqiptarëve në detin e Otrantos më 1997


Përkujtojmë sot përvjetorin e mbytjes së 81 personave, shumica vlonjatë, por edhe nga Fieri e Lushnja, shumica gra e fëmijë, më i vogli prej të cilëve 3 muajsh, natën e 28 marsit 1997, ishte e Premtja e Madhe e Pashkëve.
“Ikën nga një tmerr pa fund dhe ju çuan në një fund të tmerrshëm”. Ky është epitafi i shkruar në Obeliskun, që në varrezat e Babicës në Vlorë dëshmon për viktimat e asaj që në histori ka hyrë si Tragjedia e Otrantos.
Ishte nata e 28 marsit 1997, e Premtja e Madhe e Pashkëve. Në anijen ushtarake, të vjedhur nga Saranda për vëllezërit famëkeq Zani e Lefter Caushi, ngjishen njerëz, që u kishin paguar atyre 1 milion lireta të kohës për kokë. Iknin për t’iu shpëtuar plumbave, iknin nga fukarallëku, nga trazirat e 97-ës që i vunë zjarrin Shqipërisë, duke kërkuar një jetë më të mirë. Atë natë u takuan për herë të parë dhe po atë natë u ndanë. Në përplasjen me anijen italiane Sibila në kanalin Otrantos, 81 vetë i përpiu deti për të mos i kthyer më kurrë. Shumica qenë gra e fëmijë. Ishin vajza të reja, që nuk jetuan dot rininë e që ndërprenë lundrimin drejtë së ardhmes së ëndërruar.
Më i vogli i asaj tragjedie të 28 marsit të 1997-ës qe një djalë tre muajsh, që prindërve iu iku përjetësisht. Detin zgjodhën për rrugë se rrugë tjetër nuk kishte. Nuk mund të përshkruhet se sa e madhe qe dhimbja. Vetëm tri ditë më vonë, gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore në mesditë, një ditë pas Pashkës së Ngjalljes, edhe Papa i Lumi Gjon Pali II i përmendi viktimat e kanalit të Otrantos nga Shqipëria. Kuja e shqiptarëve, e familjarëve, e shokëve, e të afërmve kishte arritur në Vatikan. E si atëherë kur për Shqipërinë nuk fliste kush, sepse qe mbyllur pas perdes së hekurt të diktaturës komuniste, sërish është një Papë që u qan hallin shqiptarëve, që ndan dhimbjen me shqiptarë. Atë 31 mars 1997 të hënën e Pashkëve, Gjon Pali II tha: “Gëzimi i Pashkëve është turbulluar nga lajmet mbi tragjedinë që ka ndodhur në kanalin e Otrantos, me fundosjen e një motovedete ngarkuar me refugjatë shqiptarë.
Ju ftoj të luteni për ata që kanë vdekur në detin Adriatik e të merrni pjesë në mënyrë solidare në dhimbjen sfilitësh të atyre që vuajnë për humbjen e të dashurve të tyre.
Inkurajoi përzemërsisht veprat e ndihmës që bëjnë në Pulje Karitasi dhe institucionet e ndryshme në favor të emigrantëve. Uroj që të shumëfishohen përpjekjet për të çuar në Shqipëri ndihma materiale të domosdoshme, por edhe më tepër rend shoqëror e paqe, si edhe bashkëpunim për nxitjen e aktiviteteve prodhuese, në mënyrë që kombi i dashur shqiptar ta marrë veten dhe të ndërtojë të ardhmen në paqe e qetësi”.
Në varrezat e qytetit, në Babicë të Vlorës, ata m emrin e përbashkët “Viktimat e Otrantos” prehen në krahun e majtë të hyrjes. Nuk u gjetën të gjitha trupat. Nga thellësitë e detit Ardiatik u nxorën vetëm 57 vetë. Të tjerët janë varre simbolike.
Të afërmit e viktimave kërkuan në gjyqet e Italisë dëmshpërblime e të vërtetën mbi incidentin e asaj nate të tmerrshme, në procese që u zgjatën pa fund e pa rezultate të pritura.







All the contents on this site are copyrighted ©.