2013-03-28 10:57:17

Papa Françesku kryeson kremtimin e Meshës së Bagmit. “Duhet të jeni barinj, që mbani erë dele”, u tha meshtarëve


Papa Françesku po kremton Meshën e Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë saj, meshtarët, rreth 1600 të klerit shekullar e rregulltar të dioqezës së Romës e të Kolegjeve Romake, rinovojnë premtimet meshtarake. Pikërisht atyre iu drejtua Ati i Shenjtë gjatë homelisë, duke u kërkuar të jenë barinj të mirë të grigjës, që u ka besuar Zoti: “të mbani erë dele”, u tha.
Bashkëkremtojnë me Atin e Shenjtë kardinaj e ipeshkvij. Bekohen Vajrat e Katekumenëve dhe të të Sëmurëve, si edhe Bagmi, të gjitha, në gjashtë amfora. Vaji për kremtimin e Meshës së Bagmit është dhuruar nga kooperativa “Arte e Alimentaciòn SL” e Kastelseras të Spanjës. Substancat e parfumuara, që përbëjnë Bagmin, hidhen në Vaj nga diakoni para lutjes së bekimit. Vajrat do të dërgohen në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, ku do t’u shpërndahen meshtarëve të dioqezës së Romës për mbarështimin e Sakramenteve gjatë vitit.
“Vojimi – tha Papa Françesku gjatë homelisë – nuk shërben për t’u parfumuar e aq më pak, për ta ruajtur në ndonjë shishe, sepse vaji do të prishej e do të hidhërohej… Meshtari i mirë njihet nga mënyra si vojohet populli i vet”.
E Ati i Shenjtë, shpjegoi më mirë këtë mendim: “shihet qartë kur njerëzit tanë vojohen me vajin e gëzimit: për shembull, kur dalin nga mesha me fytyrën e atij, që ka marrë një lajm të mirë. Njerëzit tanë e duan Ungjillin të predikuar me vojim, u pëlqen kur Ungjilli, që predikojmë, ka kuptim për jetën e tyre të përditshme, kur zbret si vaji i Aronit deri në skajet e realitetit, kur shndrit gjendje të vështira, ‘periferitë’, ku populli i besimtarëve pëson më shumë nga ata, që duan t’ia plaçkisin fenë. Njerëzit na falenderojnë atëherë, sepse e ndjejnë se jemi lutur, duke pasur parasysh realitetin e jetës së përditshme, vuajtjet e gëzimet e tyre, shqetësimet dhe shpresat e tyre. E kur e ndjen se parfumi i të Vojuarit, i Krishtit, i arrin përmes nesh, merr guximin të na besojë gjithçka dëshiron t’i mbërrijë Zotit: ‘lutu për mua, atë, sepse kam këtë problem’; ‘më beko’; ‘lutu për mua’. Këto janë shenjat që vojimi ka mbërritur deri në palën e mantelit, sepse shndërrohet në lutje të përgjëruar”.
“Kur krijojmë këto marrëdhënie me Zotin e me Popullin e Tij e Hiri Hyjnor kalon përmes nesh – tha Papa Françesku – atëherë jemi meshtarë, ndërmjetësues mes Zotit e njerëzve… Ajo, që dua të nënvizoj, është se duhet ta gjallërojmë gjithnjë Hirin Hyjnor e ta kuptojmë me intuitë, në çdo kërkesë, – nganjëherë të papërshtatshme, nganjëherë pastërtisht materiale, ose madje banale, por vetëm në dukje – dëshirën e njerëzve tanë për t’u vojuar me vaj të parfumuar, sepse e dinë se ne e kemi”.
Në elter është vendosur një shtatore druri e Zojës me Foshnjën Hyjnore. Shtatorja, që ruhet në Muzetë e Vatikanit, është dhuratë e presidentit të Brazilit Joao Goulart për Papën Pali VI, me rastin e zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit, në vitin 1963. Vepra e shkollës braziliane, që i përket shekullit XVIII, përfaqëson Zojën e Monserratit.








All the contents on this site are copyrighted ©.