2013-03-28 12:54:37

Kisha do të ketë së shpejti 63 të Lumë të rinj, martirë të kohës së komunizmit e të nazizmit


Papa Françesku autorizoi dje Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve të bëjë të njohur dekretet për shpalljen e 63 të Lumëve e 7 Shërbëtorëve të rinj të Zotit. Ndër ta, dallohen martirët e Luftës Civile spanjolle, ata të regjimeve komuniste të Evropës Lindore dhe të nazizmit. Veçojmë të riun seminarist italian Rolando Rivi, vrarë barbarisht nga partizanët në vitin 1945. Akoma adoleshent, në moshën 14 vjeçare, u martirizua duke dëshmuar dashurinë e tij të pamatë për Jezu Krishtin, si shumë meshtarë, murgesha e laikë shqiptarë gjatë komunizmit.
Ndër të lumët e rinj është pikërisht një shqiptar, pavarësisht se i lindur në Stamboll të Turqisë, më 25 dhjetor 1873 e martir në Bukuresht të Rumanisë, më 16 maj 1954. Dekreti njeh martirizimin e Shërbëtorit të Zotit Vladimir Gjika, meshtar dioqezan. Familja e tij, e mirënjohur në Shqipëri, e ka origjinën nga Përmeti, nga ku është larguar në vitet 1500-1600 për t’u vendosur në lagjen Fanar të Kostandinopojës. Gjatë sundimit të perandorisë osmane, të ndihmuar nga pashallarë shqiptarë në oborrin e Sulltanit, anëtarët e kësaj familjeje qeverisën si princa, për vite me radhë Moldavinë dhe Vllahinë. Por i dhanë botës edhe njerëz të kulturës, si për shembull, Elena Gjikën, apo Dora d’Istria. Nga kjo familje rrjedh edhe mons. Vladimir Gjika, i cili lindi si princ ortodoks, për t’u shuguruar meshtar katolik, në moshën 50-vjeçare. Deri atëherë, ai mori pjesë aktive në jetën shoqërore e politike të Rumanisë gjatë Luftës I Botërore e punoi shumë për bashkimin e vendit, në Paris, Romë e Vatikan, si delegat i Këshillit Kombëtar Rumun.
Pas vitit 1923, kur u shugurua meshtar, Vladimir Gjika u dërgua nga Kisha Katolike në Sidnej të Australisë, në Budapest, në Dublin e Buenos Aires, ku mori pjesë në kongrese eukaristike ndërkombëtare. Gjithashtu, ndërmori misione kishtare në Japoni, Kinë e në Cejlon. Bekonte gjithnjë me një nga gjembat e kurorës së Jezusit e ndër mrekullitë, që i atribuohen ndërhyrjes së tij, është shërimi i shumë njerëzve dhe lindja e trashëgimtarit të fronit japonez. U shua, në vitin 1954, në një burg komunist të Rumanisë, për shkak të torturave të “Securitate”-s, dokumentuar nga vetë martirizuesit e regjimit, por edhe nga dëshmitë e shokëve të burgut.
Është jashtëzakonisht i njohur dhe i marrë si shembull për frymën e tij ekumenike. Thoshte se ishte bërë katolik, për të qenë ortodoks më i mirë. Dëshironte me gjithë shpirt bashkimin e Kishës Katolike me Kishën Ortodokse. Papa Piu XI, pasi e pati emëruar “protonotar apostolik” në vitin 1931, duke bërë shaka me të, por duke vënë në dukje impenjimet e tij të shumta ungjillëzuese në të gjithë botën, e quante “vagabondi i madh apostolik i shekullit XX”.
Fillimisht në Paris, ku ndenji në një barakë të vetmuar, në mes të të varfërve, duke fituar shpirtra për Zotin e pastaj, në rektoratin për të huajt, që i ofroi kryeipeshkvi i kryeqytetit francez, mons. Gjika dinte t’u fliste e të ndihmonte si më të ligështit e shoqërisë, ashtu edhe më fatlumët e pasur, tek të cilët shihte nevojën që kishin për t’i dhënë kuptim jetës. Zhak Mariten, Pol Klodel, Henri Bordò, Fransua Moriak, njerëz të tjerë të kulturës e të artit qenë miqtë e tij, së bashku me refugjatët politikë, të persekutuarit e të mënjanuarit. Shkruan e lexohet, flet e dëgjohet nga ata, që mahniten me katolicizmin e tij, vërtet i madh, sublim, hyjnor; mrekullohen nga Jezusi, që nuk u paraqitet si përrallë fëmijësh, por si e Vërteta Absolute dhe e amshuar.
Në vitin 1939 kthehet në Rumani për t’u takuar me të afërmit e vendos të qëndrojë aty, pasi sheh sprovat, që i duhet të kalojë vendi, fillimisht për shkak të luftës e pastaj, për shkak të komunistëve. Në vitin 1948, mbreti i ri Mihail dëshiron ta marrë me vete, në Evropën e lirë, larg persekutimit, por ai nuk pranon, i bindur se po shkonte nën kudhrën e hekurt të drapërit e çekanit. Policia e Çausheuskut i hoqi së pari, të drejtën për t’u larguar nga shtëpia, sepse “ajo që bënte e predikonte, ishte shumë e rrezikshme për revolucionin”, e pastaj e arrestoi më 19 nëntor 1952. Gjykata e të pafeve, megjithëse ishte tashmë 80 vjeçar e dënoi me 30 vjet burgim. Kështu, mbërriti ora e flijimit suprem: më 17 maj 1954, pas shumë torturash të tmerrshme, siç mund të ishin të aftë vetëm komunistët, Mons. Vladimir Gjika u dha fund vuajtjeve për të shkuar tek Ati Qiellor. Zhak Mariten pati thënë për të: “Princ në botë e për një thirrje më të lartë, Meshtar i Krishtit”. Tani martir, në nderimet e elterit!







All the contents on this site are copyrighted ©.