2013-03-28 12:11:26

E Hëna Madhe e Pashkëve


Të Dielën e Larit jehonin ende britmat e fëmijëve, të mbledhur rreth Krishtit, që ngadhënjente përvuajtërisht mbi shpinë të gomarit. Njerëzit e ardhur nga larg për të kremtuar Pashkët në qytetin shenjt, pyesnin banorët e Jeruzalemit, që dyndeshin rrugëve duke brohoritur: “Kush është ky?”. “Jezusi i Nazaretit”, u përgjigjeshin, Profeti, Biri i Davidit, Mesia! Hosana atij që vjen në emër të Zotit!”.
Në ditët që do të vinin, “Hosanave” do t’ua zinte vendin britma më tragjike që u dëgjua ndonjëherë në skenën e kësaj bote: “Kryqëzojeni!”.
Po sot është një ditë e re. Krishti e kaloi natën jashtë qytetit, drejt Betanisë, larg kurtheve. Me mendimin: “Sa mbrëmje i mbeten deri në përmbushjen e misionit? Edhe katër ditë e Qengji, ai vetë, do të flijohet. Qengji i flijes së re, që historia e njerëzimit e pret. Që qielli e ka përgatitur në vitet e amshuara”.
Sot ka një shpresë të vetme: “Atë, largoma nga buza këtë kelk!. Për ty s’ka asgjë të pamundur! Ti mund t’u japësh ngjarjeve të caktuara në thellësitë e pakohë, një kthesë tjetër, duke e shikuar fatin tim më shumë me mëshirë, sesa me drejtësi, që të mos vuaj kaq shumë e korpi im njerëzor të mos rrënqethet përballë kryqit, gozhdave, shqyerjes së nervave, gurrës së gjakut, tmerrit të vdekjes. Për ty s’ka asgjë të pamundur, o Atë. Ti mund t’ua rikthesh njerëzve pafajësinë e lashtë, pa inate, pa urrejtje, pa hakmarrje; mund t’ua rikthesh gëzimin e zemrës së pafaj, t’i largosh nga pasionet e errëta, nga lakmia, nga dhuna, nga etja e ndyrë për pushtet. Për Ty s’ka gjë të pamundur!”.
Këtë na fton të meditojmë dita e sotme, e Hëna e Madhe.
Duam të të ndjekim pas, Jezus, dishepuj të largët nga ato ditë, edhe ne të njollosur me faje, edhe ne të tunduar të mos besojmë. Por duam të ecim pas teje, o Krisht, sepse shpresojmë në Ty. Na i përsërit pambarim fjalët tuaja, Jezus, Mësues i ëmbël, sepse fjalët tuaja janë fjalë jete, fjalë shprese. Duam të të ndjekim pas...







All the contents on this site are copyrighted ©.