2013-03-28 11:44:04

E Enjtja e Madhe e Pashkëve.


Tani drama e Jezusit i afrohet gjithnjë më shumë aktit të mbramë. Duam t’i njohim hollësisht këto orë, të kaluara kush e di se si, në pritje të natës, që nisi të endte tri ditët kulmore të historisë njerëzore. Duam ta shoqërojmë Mjeshtrin (Mësuesin), para se t’u dorëzohet armiqve, t’i rrimë pranë, ta dëgjojmë vajin e palot të zemrës së tij. Por Ungjilli nuk na ndihmon fare në këtë çast. Edhe njëri nga dëshmitarët më të zgjedhur të këtyre ngjarjeve, Gjoni, nuk thekson dhimbjen e pafundme të Krishtit, por dashurinë e dishepujve të atëhershëm e të përhershëm:
“Para festës së Pashkëve, Jezusi, duke e ditur se i erdhi koha për të kaluar prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët, që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit” (Gjn.13,1).
Gjoni nuk na përshkruan një Krisht që shqetësohet për vetveten. Jezusi është njeri i jashtëzakonshëm e, më shumë se çdo qenie njerëzore e historisë, i vetëdijshëm se ka arritur koha kur do të vdesë. Dhe e di mirë se vdekja nuk do t’i vijë e qetë, pa dhimbje. Si njerëzve biblikë, që shkonin të flinin me etërit, të nginjur me vite. Atij i vjen vdekja në të kërthnesët të moshës, me vuajtje të hatashme, që do të mbeten në kohë, si simbol i të gjitha dhimbjeve.
E megjithatë Jezusi nuk shqetësohet për vete, ndonëse nuk mund ta largojë nga shpirti vegimin e zymtë, që i kërcënohet. Më shumë se për vete, mendon për ata që do të mbeten, tani e në shekuj të shekujve, përballë luftërash, mundimesh, tundimesh më të rrepta e më të rrezikshme. Nga ky mendim e nga ky shqetësim plot dashuri vetëmohuese, vjen gjesti i papritur. Ai gjunjëzohet përballë dymbëdhjetë njerëzve të pagdhendur, të paaftë për ta kapur kuptimin e ngjarjes, protagonistë të së cilës u bënë papritur.
Ndoshta edhe ne, shumë vjet më pas, e rijetojmë këtë gjest si sjellje rituale, që nuk na bën aq shumë përshtypje. Por nuk mund të mos vërejmë se ndërmjet atyre njerëzve ishte edhe Juda që e tradhtoi, Pjetri që e mohoi e të tjerët, që e braktisën. E Njeriu-Zot është aty, përdhe, me legen e përparëse e pohon me seriozitet të thellë: “Unë, Zoti e Mësuesi, ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, ta bëni edhe ju”
Krishti është njeri i lirë. I kryen veprat e veta i frymëzuar nga e Vërteta, nga Hyji. Nuk druhet se po humbet dinjitetin pse i lan këmbët ca varfanjakëve, siç nuk u druajt se do të njolloste shpirtin, pse shkoi në kërkim të mëkatarëve për t’i ndihmuar të pendohen. Ai dëshiron që të tijtë të kenë të njëjtën liri e të njëjtën dashuri.
I vëren tek rrinë si mbi gjemba, ndërsa Pjetri proteston më kot. U jep zemër. I fton të zenë rishtas vendet e tyre në sofër, sepse gjesti i pastrimit ishte thjeshtë një simbol, një veprim që e përgatiste për atë, që duhet të kryhej sonte. Ai e njeh mirë ligështinë e madhe të të tijve e të mbarë njerëzve, prandaj u jep atyre diçka, që do t’i mbështesë tërë jetën, që do të mbështesë gjithë jetën e botës. Kryen gjestin themelor, të paralajmëruar që në Kafarnao, kur pati thënë: “Kush ushqehet me korpin tim e pi gjakun tim, ka jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e mbrame (Gjn. 6,54)”.
Asokohe kjo shprehje pati shkandulluar e pati larguar shumëkënd prej tij, por sonte vihet plotësisht në jetë, përmes pushtetit hyjnor të Krishtit, i cili merr bukën e verën e thotë: “Ky është korpi im, ky është gjaku im. Përsëriteni në rrjedhë kohe çka patë se më bënë, çka ju autorizoj të bëni e për çka ju jap pushtet”.
Kështu ndodhi ndërmjet nesh mrekullia e pranisë fizike të Jezusit, që do të përsëritet në shekuj.
E ja, pra, o Zot, ne, njerëz të vegjël, që jetojmë në një të imtë kohe, jemi sonte para teje, para misterit të dashurisë sate. Mezi belbëzojmë fjalë mirënjohjeje e mrekullimi, por e dimë mirëfilli se ti nuk do fjalë. Do një jetë, e cila ushqehet me ty, me korpin e gjakun tënd, që të përsëritet në shekuj mrekullia e shenjtërisë sate. Detyrë e vështirë, o Zot, ti e di. Do të thotë të jesh i përvujtë. Po ne e vëmë veten në qendër të botës e s’lemë gjë pa bërë për të fituar pozitë e pushtet. Jo për të shërbyer, jo! Thjeshtë për t’i shkelur të tjerët e për t’i treguar botës sa na vlen lëkura. Thua mund të përkulemi për t’u larë këmbët ca halabakëve mëkatarë, ne që i shikojmë njerëzit me indiferencë e përbuzje? Duke vështruar pas, gjatë shtigjeve të pafundme të kujtesës, zbulojmë vargonj padurimi, gjykimesh dashakëqija, dënimesh të padrejta, në se nuk u shtohen edhe mllefet, urrejtjet e hakmarrjet.
O Krisht, si dridhet zemra jonë, përballë butësisë sate! Dashuria jote duket si përrallë, përballë vetëdashjes sonë, që na verbon aq, sa të mos shikojmë fare se rreth nesh ka edhe të tjerë. O Zot i jetës e i kohës, të lutem më shndërro! Nuk është e lehtë, por për ty s’ ka asgjë të pamundur. Syri yt është ngulur prej kohe mbi mua. Sonte, kur jepje vetveten si ushqim që të shuaje urinë time për dashuri, ndërsa shikoje dishepujt e pranishëm e ua matje fatin, sytë e tu ishin ngulur edhe mbi mua. Për të më nxjerrë nga moria e të paemërve, që enden shekujsh e për të më mësuar të jem zemërbutë e i përvujtë, si ti, o Zot. Ç’shikon në mua? Ç’fat do të kem? E di se të kam zhgënjyer shumë shpesh, e di edhe se jam tejet larg nga shenjtëria jote. Por, të lutem, o Zot i shpresës, përtërije fenë time e dashurinë time, forcoje shpirtin tim të ligshtë me korpin e gjakun tënd, më zgjidh si një gjë që të përket e dhuroi zemrës sime atë, që i mungon, për të qenë sot e në amshim ndërmjet atyre që i deshe pranë në shtëpinë tënde të pamort!







All the contents on this site are copyrighted ©.