“Lutuni për mua”, u kërkon Papa Françesku punonjësve të Vatikanit, me të cilët bën
edhe shaka në meshën e mëngjesit
E kush e mendonte se Papa do të vinte në Bazilikën e Shën Pjetrit, sot në mëngjes
herët, ndërsa kardinali Anxhelo Komastri po kremtonte meshën për punonjësit e Vatikanit!?
Natyrisht, për të gjithë të pranishmit, kjo qe një e papritur e këndshme, edhe pse,
pikërisht atyre iu drejtua Ati i Shenjtë në fund të meshës, për t’i përshëndetur,
por edhe për të bërë shaka. “Mirëdita të gjithëve” – u tha. E duke iu referuar fjalëve
të kardinalit Komastri, që gjatë përshëndetjes së tij foli për përshpirtërinë e Papës
Gjoni XXIII, vijoi: “Edhe unë di një episod për Papën Gjoni: një herë, një
ambasador e pyeti: “Më thoni, Shenjtëri, sa vetë punojnë në Vatikan?”. “Gjysma”, iu
përgjigj. Por unë jam i sigurtë se ju jeni ajo gjysma, që punon. Shumë faleminderit!
Dua t’ju falenderoj për këtë Meshë lutjeje: të lutemi njëri për tjetrin, si vëllezër.
Dua t’ju falenderoj për punën tuaj në Vatikan, nganjëherë e fshehur, që s’bën bujë,
por shkon përpara. Shumë faleminderit! Dua edhe të falenderoj kolegët tuaj, që nuk
mundën të vijnë për shkak të punës; po punojnë në këtë çast. Shumë faleminderit! Dua
t’ju falenderoj për këtë e t’ju kërkoj të luteni për mua: kam nevojë, sepse edhe unë
jam mëkatar, si gjithë të tjerët. E dua t’i qëndroj besnik Zotit. Lutuni për mua.
Ju uroj, për shumë vjet Pashkët. Zoti ju bekoftë e Zoja ju mbroftë, si një Nënë e
mirë. Shumë faleminderit!” “Faleminderit” e “lutuni për mua”: këto, fjalët
e Papës Françesku, ndërsa u fliste pa letër punonjësve të Vatikanit, ndjenjat e të
cilëve u shprehën më së miri nga kardinali Anxhelo Komastri, në përshëndetjen drejtuar
Atit të Shenjtë, ku përmendi, siç thamë më sipër, edhe Papën Gjoni XXIII. Pikërisht
episodi i treguar i dha shkas më pas Papës Françesku, të bënte shaka me të pranishmit.
Por ja fjalët e kardinalit-kryeprift të Bazilikës së Shën Pjetrit: “Atë i Shenjtë,
kjo vizitë e pazakontë e shi për këtë, e pëlqyeshme, na e mbush zemrën me gëzim e
ju shpreh mirënjohjen e të gjithëve. Më lejoni të kujtoj diçka: në qershor 1978, shkova
shtegtar në Loreto me seminaristët e dioqezës sime e aty, takuam imzot Kapovilën,
që atëherë ishte kryeipeshkvi i Loretos. Më kujtohet se na priti e filloi të na tregonte,
siç bën shpesh, shumë episode nga jeta e Papës Gjoni XXIII. Na tregoi një ngjarje,
që më duket se i përshtatet këtij çasti: na tha se më 29 tetor 1958, një ditë pas
zgjedhjes, i ulur në tryezë, Papa Gjoni ishte i trishtuar, gati i hidhëruar. Sekretari
i tij, pra vetë imzot Kapovila, e pyeti me kujdes: “Atë i Shenjtë, ka ndonjë problem?”
E ai u përgjigj: “E kam ndjerë veten shumë keq”. “Ç’ka ndodhur?” “Dje…” “Ishte dita
që u zgjodhët – i tha imzot Kapovila – ndoshta jeni ndjerë i padenjë?” “Jo, jo… është
vullneti i Zotit, ai. Por, pas zgjedhjes, pashë të gjithë kardinajtë, që për bindje,
me radhë, u gjunjëzuan e më puthën këmbën – siç bëhej atëherë. – Mendo, edhe kardinali
Elia Dela Kosta, ai njeri shenjt, që unë e konsideroj shenjtor! E ndjeva veten shumë
keq…” E i tha: “Don Loris, këto gjëra duhen ndryshuar. Kisha duhet të bëjë një banjo
të mirë thjeshtësie e përvuajtërie. Atëherë, drita e Krishtit shndrit mbi fytyrën
e Kishës”. Atë i Shenjtë, këtë po bëni edhe ju. Ju bëjmë urimet më të mira. Që drita
e Krishtit….” (duartrokitje) Por, fjalët e kardinalit Komastri u ndërprenë
nga duartrokitje të stuhishme miratimi për gjestet dhe fjalët e Papës Françesku, që
kur thotë “Dua një Kishë të varfër për të varfërit” e kuptojnë të gjithë.