2013-03-27 16:26:50

Papa Françesku na fton të dalim nga vetvetja, për t’ua hapur të gjithëve portat e Hyjit.


Ta jetosh Javën e Madhe, do të thotë të dalësh nga vetvetja, për t’u çuar ndihmë njerëzve, që jetojnë në skajet më të harruara të botës! Është kjo, thirrja më e fuqishme e Papës Françesku, në audiencën e parë të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit sot, 14 ditë pas zgjedhjes në fronin e papnisë. Ati i Shenjtë e nisi katekizmin duke nënvizuar se do të ecë, me mirënjohje e nderim të thellë, në gjurmët e Benediktit XVI. Pas Pashkëve, nënvizoi, do të rifillojmë katekizmin kushtuar Vitit të fesë. Ndërsa sot do të flasim për Javën e Madhe.
E kemi nisur, tashmë, këtë Javë, qendër e gjithë Vitit Liturgjik, me të Dielën e Larit, për ta shoqëruar Jezusin në Mundime, Vdekje e Ngjallje. Pra, për ta jetuar me Të, këtë Javë të jashtëzakonshme.

Por, ç’do të thotë ta jetosh Javën e Madhe? Ç’do të thotë ta ndjekësh Jezusin në udhën e Tij mbi Kalvar, ku e pret kryqëzimi, por edhe ngjallja. Në misionin e Tij tokësor, Jezusi përshkoi rrugët e Tokës së Shenjtë; thirri dymbëdhjetë njerëz të thjeshtë, që të ecnin pas Tij e ta vijonin misionin e Tij. I zgjodhi në gjirin e popullit, plot besim në premtimet e Zotit. U foli të gjithëve, pa kurrfarë dallimi.
Audienca u përshkua tejendanë nga një koncept, i përsëritur me ngulm: i krishteri duhet “të dalë”. Të dalë nga feja, që i shkon për shtat, për të çuar ndihmë e mirëkuptim ndërmjet banorëve të skutave të errëta të jetës. Duhet të dalë, si Jezusi, që i shikonte njerëzit si shtëpinë e tij. Ky mësim themelor, që prej dy javësh bota po e nxë nga Papa Françesku, bëhet gur i këndit edhe në magjisterin e tij të së mërkurës. Papa ndalohet tek Java e Madhe dhe i fton të krishterët t’i përngjajnë Jezusit që, pasi shëroi, ngushëlloi, kuptoi, fali të pushtetshëm e të ligësht, kreu aktin më të lartë, i mbërthyer mbi Kryq. E kjo, nënvizoi Papa Françesku, është edhe udha jonë:
“Ta jetosh Javën e Madhe duke ndjekur Jezusin, jo vetëm me dridhje zemre; ta jetosh Javën e Madhe duke ndjekur Jezusin, do të thotë të dalësh nga vetvetja, siç pata thënë të dielën e kaluar, për të shkuar drejt të tjerëve, drejt skutave të jetës; të lëvizim ne, të parët, kah vëllezërit tanë e motrat tona, posaçërisht kah ata, që janë më të largët, më të harruar, ata që kanë më shumë nevojë për mirëkuptim, për ngushëllim, për ndihmë”.
Kjo është logjika e Ungjillit, kujton Papa Françesku. Logjikat e tjera përjashtohen. Për shembull, pohon, nuk duhet të mbyllemi në vathin e nëntëdhjetë e nëntë deleve, por të dalim , siç bëri Jezusi, në kërkim të deles së humbur, të asaj që endet diku larg, me frikën e ujkut:
“Ta ndjekësh, ta shoqërosh Jezusin, të rrish me të, kërkon ‘të dalim”. Të dalim! Të dalim nga vetvetja, nga të jetuarit e një feje të lodhur, të rëndomtë; të dalim nga tundimi për t’u mbyllur në skemat tona, që e errësojnë horizontin e veprimit krijues të Zotit”.
Duhet dalë: për Papën, që dëshiron ta përmbledhë urtinë e krishterë në fjalë-kyçe, kjo është fjala e ditës, fjalë që mjafton për një jetë të tërë. Duhet të dalësh, të hovësh në këmbë, pas Jezusit, që s’pati as një gur ku të mbështeste kokën:
“Jezusi nuk ka shtëpi, sepse shtëpia e tij janë njerëzit, jemi ne; misioni i tij është t’ua hapë të gjithëve portën e Hyjit, të jetë prani e dashurisë së Atit”.
Në këtë pikë, Papa Françesku i dha përgjigje edhe vërejtjes mendjelehtë të atyre, që besojnë se nuk kanë kohë as forca për të vepruar kështu. Ose të atyre, që mendojnë se të ndjekësh Krishtin është punë tepër e vështirë për forcat njerëzore. Në fund të fundit, vërejti Ati i Shenjtë, edhe Apostujt e qortuan, kur Mësuesi i vuri në krizë siguritë e tyre:
Shpesh mjaftohemi me ndonjë lutje, me ndonjë Meshë të dielave, me ndonjë gjest dashurie të krishterë, por nuk e marrim guximin të ‘dalim’, për t’ua çuar Krishtin të tjerëve. I ngjasim, kështu, paksa, Shën Pjetrit. Sapo Jezusi flet për mundimet, vdekjen e ngjalljen, për dhurimin e vetvetes, për dashurinë, dhuruar të gjithëve, Apostulli e tërheq mënjanë dhe e qorton”.
E këtu, duke kujtuar sesi i përgjigjet Jezusi qortimit të Pjetrit, që nuk mendon sipas Zotit, por sipas njerëzve, Papa Françesku ripohoi e shtoi, atë që nuk duhet ta harrojmë kurrë: Hyji mendon me mëshirë, si babai i shembëlltyrës së djalit plangprishës:
“Java e Madhe është kohë e hirit të Hyjit, që Zoti na e dhuron për t’i hapur në dy kanat portat e zemrave tona, të jetës sonë, të famullive tona - sa e dhimbshme kur shikon famulli të mbyllura - në famullitë tona, në lëvizjet, shoqatat; ‘të dalim’, për të takuar të tjerët, për të qenë pranë të tjerëve e për t’u çuar dritën e gëzimin e fesë sonë. Të dalim gjithnjë. U uroj të gjithëve t’i jetojnë mirë këto ditë, duke e ndjekur Zotin me guxim e duke çuar një rreze të dashurisë së tij, nga zemra jonë, në atë të njerëzve, që takojmë”.
Në audiencën e parë të përgjithshme të Papës u vërejtën disa risi, në krahasim me audiencat e mëparshme. Pas katekizmit në gjuhën italiane, Papa ngarkoi një meshtar të bënte përmbledhjen në një gjuhë tjetër, duke vijuar, më pas, të marrë fjalën për të përshëndetur grupet e ndryshme gjuhësore, të pranishme në Shesh, gjithnjë në gjuhën italiane. Veç kësaj, shtegtarë e besimtarë panë përsëri disa skena, që tashmë po bëhen të zakonshme gjatë takimeve të mëdha me Papën, i cili dëshiron të jetë gjithnjë pranë njerëzve, të shtrëngojë duar, të japë e të marrë entuziazëm të madh e dashuri të madhe.








All the contents on this site are copyrighted ©.