2013-03-27 15:00:55

Mesha e së Mërkurës së Madhe. Papa: të flasim keq për vëllezërit është si të tradhëtojmë Jezusin


Pak para se të shkonte në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku kremtoi, si zakonisht, meshën në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Tradhëtia e Judës, për të cilën foli edhe dje, ishte në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë, i cili e krahasoi me thashethemet, me rastet kur flasim keq për të tjerët. Mori shkas nga Ungjilli i sotëm, që tregon si e tradhëtoi Juda Krishtin për 30 aspra. Jezusi, nënvizoi Papa, trajtohet si mall: shitet. Ndodh shpesh “edhe në tregun e historisë… edhe në tregun e jetës sonë – vazhdoi Horhe Mario Bergolio – të marrim 30 asprat e ta lemë Jezusin mënjanë. Qëndrojmë indiferentë para Zotit, që shitet. E nganjëherë edhe ne, bëjmë të njëjtën gjë me vëllezërit, me miqtë tanë”. Thashethemet, të flasësh keq për tjetrin, do të thotë ta shesësh atë, ta kthesh në mall, ashtu siç bëri Juda me Jezusin.
E si njohës i mirë i shpirtit njerëzor, Papa vërejti: “Nuk e di pse, por ka një farë gëzimi të errët në thashetheme”. Nganjëherë fillojmë me fjalë të mira, pastaj, papritur, vazhdojmë me thashetheme e arrijmë “t’ia rrjepim lëkurën tjetrit” siç tha Ati i Shenjtë. E më pas, ftesa për të mos folur kurrë keq për të tjerët, që të mos bëhemi si Juda, i cili kur tradhëtoi Jezusin “e kishte zemrën gur, nuk kuptonte, nuk njihte dashurinë, nuk kishte miqësinë” e askujt. Java e Madhe është rasti për t'i kërkuar falje Zotit, sepse me thashetheme, i bëjmë keq mikut, por i bëjmë keq edhe Jezusit, pasi Krishti është i pranishëm në këtë mik, apo shok. E t’i kërkojmë hirin të mos “ia rrjepim lëkurën” askujt, të mos marrim nëpër gojë askënd. Nëse vërejmë se ndokush ka të meta, përfundoi Papa Françesku, të mos e vendosim ne drejtësinë, duke përdorur gjuhën si shpatë, por t’i lutemi Zotit për të, duke i kërkuar ta ndihmojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.