2013-03-27 15:46:47

Mesha e Darkës së Mbrame: Papa do t’u lajë këmbët të rinjve të burgosur, me kombësi e fe të ndryshme


Ceremoni jashtëzakonisht e thjeshtë: kjo do të jetë, sipas dëshirës së Atit të Shenjtë, karakteristika e Meshës së Darkës së Mbrame, që Papa Françesku do të kremtojë nesër në orën 17.30, në burgun e të miturve në Kazal del Marmo të Romës. Gjatë saj, do t’u lajë këmbët 12 të rinjve, me fe e kombësi të ndryshme.
Veçoritë e kremtimit të së Enjtes së Madhe jepen në një notë informuese të Vatikanit, ku sqarohet edhe se, së bashku me Papën, do të bashkëkremtojnë Vikari i dioqezës së Romës, kardinali Agostino Valini dhe kapelani i burgut, atë Gaetano Greko. Me ta, edhe dy diakoj të Seminarit romak.
Në Meshë do të marrin pjesë rreth 50 të rinj, ndër të cilët 11 vajza. Të burgosurit do të kujdesen për leximet liturgjike dhe për lutjen e besimtarëve. Organizimi dhe kori u është besuar 40 anëtarëve të Shoqatës “Vullnetarët e Kazal del Marmos” dhe të Përtëritjes në Shpirtin Shenjt, që i japin jetë liturgjisë çdo të dielë. Në përfundim të kremtimit, Papa Françesku do të përshëndesë familjen e Institutit në palestër, ku parashikohen 150 të pranishëm.
Të rinjtë e burgosur do t’i dhurojnë Papës një kryq prej druri e një bankë për t’u gjunjëzuar në lutje, gjithnjë prej druri, realizuar në laboratorin artizanal të Kazal del Marmos. Ati i Shenjtë do t’u japë atyre ëmbëlsirën dhe vezët karakteristike të Pashkëve. Gjithashtu, parashikohet një përshëndetje e të rinjve për Papën, shkruar prej tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.