2013-03-26 11:22:40

Tokë e Shenjtë: katolikët e ortodoksët kremtojnë Pashkët sipas kalendarit julian


Pjesa më e madhe e bashkësive katolike të pranishme në Izrael, në Territoret Palestineze, Jordani e Qipro do t’i kremtojnë liturgjitë e Javës së Madhe jo gjatë këtyre ditëve, por në javën e parë të majit, sipas kalendarit julian të ndjekur nga bashkësitë ortodokse. Unifikimi i datave të festave në rajon është zbatim i direktivës së 15 tetorit 2012, së Asamblesë së Ipeshkvijve Katolikë të Tokës Shenjte. Në të, kërkohet që brenda dy vjetësh, të gjithë katolikët e ritit latin dhe ata të ritit lindor duhet t’i kremtojnë Pashkët sipas kalendarit julian, në përkim me liturgjitë e kësaj feste, kremtuar në kishat ortodokse. Kjo praktikë fillon sivjet, “ad experimentum”, në të gjitha territoret e Tokës Shenjte, por jo në Jeruzalem e në Betlehem. Aty do të vazhdohet të ndiqet kalendari gregorian, si për të respektuar sistemin e “Status quo”-së për bashkëjetesën ndërmjet Kishave të krishtera, ashtu edhe për t’u shërbyer më mirë shtegtarëve, që vijnë në këtë periudhë në vendet, ku lindi e jetoi Krishti. Pavarësisht se festimi i përbashkët është një realitet shumëvjeçar në Jordani e Qipro, ipeshkvijtë maronitë kanë akoma disa rezerva. Gjithsesi, ata janë mëse të vetëdijshëm se të krishterët janë një familje e vetme e duke festuar së bashku Pashkët, japin një dëshmi të përbashkët për Mundimet, Vdekjen e Ringjalljen e Jezu Krishtit. Kjo praktikë do të konfirmohet, ose ndryshohet brenda vitit 2015, duke marrë parasysh edhe mendimin e Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.