2013-03-26 10:04:50

Papa Françesku na dorëzon shpresën në Jezusin: dëshmia e një vajze të re në Meshën e së Dieles së Larit.


“Mos lejoni t’jua grabisin shpresën”: është një nga fragmentet e forta të homelisë së Papës Françesku, në kremtimin e së Dielës së Larit. Thirrje, që iu drejtua posaçërisht të rinjve, në një kohë të rëndë, kur në gjirin e breznive të reja ndjehet fort kriza e shpresave.
Me mikrofonin tonë iu afruam Mikela Rinaldit, e re, që impenjohet në punën baritore me të rinjtë, në Romë:

Përgjigje: - Papa Françesku na kujtoi se i krishteri nuk mund të jetë i trishtuar, sepse gëzimi i tij lind nga takimi me Krishtin. E është pikërisht kështu, sepse nga ky takim lind një dashuri aq e madhe, aq e pafundme, që ta ndryshon jetën deri në atë pikë, sa të mos e ndjesh më veten vetëm e të pushtohesh nga një forcë e jashtëzakonshme.

Pyetje: - Si e mendoni se mund t’u kumtohet edhe të tjerëve kjo shpresë, në një botë, ku shumë të rinj e kanë humbur gazin e moshës, për të mos folur për dëshpërim…

Përgjigje: - Po, ashtu është: sipas meje, themelore është fjala e dytë, që na dorëzoi Papa Françesku, lidhur pikërisht me gëzimin e krishterë, që është Kryqi. Gëzimi e Kryqi janë të pandashëm. Pak kohë më parë lexova një frazë, që më mbeti e skalitur në mendje: “Gëzimi i krishterë është trishtim i kapërcyer”. Kjo nuk do të thotë se i krishteri s’ka probleme ose se i përballon mendjelehtësisht. Ishte zbulim i jashtëzakonshëm për mua. Më ndihmoi shumë ta kuptoj ç’do të thotë, në të vërtetë, gëzim i krishterë. Trishtimet tona, plagët tona, shqetësimet tona, e përditshmja jonë lahen me gjakun e Krishtit. Zoti nuk ta heq dhimbjen, por e shndërron; e është e jashtëzakonshme, sepse prej këtu lind gëzimi, prej ndjesisë se Zoti po të ngushëllon, po të shpëton.

Pyetje: - Papa Françesku nënvizoi, ndërmjet tjerash, se Kryqi i Krishtit duhet rrokur me dashuri….

Përgjigje: - Pikërisht në këto ditë të Javës së Madhe, Jezusi arrin në fund të udhës së jetës, edhe Ai, i rraskapitur, i vrerosur. Po gjesti i fundit, që bën, edhe pse para syve tanë është absurd e paradoksal, është ai i dhurimit të vetvetes: nganjëherë ne e ngatërrojmë dashurinë me lumturinë, por nuk është kjo, që kishte në mendje Jezusi. Sepse Dashuria, e vërteta, kalon përmes Kryqit e jeta na u dhurua pikërisht që të nxëmë të dashurojmë. Duhet të rropatemi një jetë të tërë, por kuptimi i fundmë i Ungjillit është të duash! Na e thotë Jezusi, e na e rikujton Papa Françesku në çdo rast.

Pyetje: - Edhe të dielën, siç është mësuar tashmë, Papa, si bari i mirë, deshi të përshëndesë e të përqafojë sa më shumë njerëz. Ç’emocion ju shkaktoi kjo sjellje?

Përgjigje: - Emocion jashtëzakonisht të madh. Të gjitha herët, Papa Françesku duket atë i dashur, që e gjen gjithnjë një fjalë të mirë për t’u dhënë zemër bijve të vet, një gjest kuptimplotë, për t’i gëzuar. E kështu i bën të gjithë për vete. Përveç ëmbëlsisë, kur dëshiron të nxisë ose të kërkojë ndonjë gjë, që e ka vërtet për zemër, nis me fjalën “Ju lutem!”. Edhe të Dielën e Larit e bëri këtë, apo jo? “Ju lutem, mos lejoni t’jua grabisin shpresën!”. Mund ta quajmë pra, atë të dashur, në fjalë e në gjeste.







All the contents on this site are copyrighted ©.